Pennine Petroleum Corporation, një kompani e re kanadeze do të ketë të drejtën eskluzive të kërkimit për naftë në bllokun e Velçës.
Lajmin e ka bërë publik vetë kompania, e cila thotë se është njoftuar nga autoritetet shqiptare si fituesja në tenderin për të drejtën e eksplorimit në këtë zonë. Tenderi është zhvilluar tërësisht nga Albpetrol, ndërkohë që shpallja fituese e kësaj kompanie, është miratuar edhe nga Ministria e Energjisë.
Blloku i Velçës përfshin një terren tokësor me sipërfaqje prej 620 kilometër katrorë. Ai shtrihet në juglindje të qytetetit të Vlorës dhe është identifikuar prej kohësh si një zonë potenciale naftëmbajtëse.
Sipas studimeve të kryera nga Albpetrol gjatë viteve 1975 deri në 1990 dhe të ripërpunuara nga gjigandi britanik premier oil në vitin 1998, rezulton se në këtë bllok mund të ketë një rezervë nafte që varion nga 14.2 deri në rreth 70 milionë fuçi.
Blloku i Velçës është një nga 13 zonat e lira tokësore dhe detare që qeveria shqiptare ka identifikuar si zonë potenciale naftëmbajtëse.
Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.
Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Por përtej konjukturës të pafavorshme në rang global, hidrokarburet sërish mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.
Top Channel