Bashkëpunimi rajonal për shkëmbimin e informacioneve

08/12/2015 00:00

Zyrtarët e qeverive nga vendet e rajonit kanë rënë dakord për avancimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve me publikun.

Ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Jolevski vlerëson se, forcimi i bashkëpunimit në këtë sferë është i domosdoshëm, pasi  – sipas tij, – shkëmbimi në kohë i informacioneve midis shteteve është shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në rajon.

“Bashkëpunimi dhe koordinimi në fushën e marrëdhënieve publike do të krijojë një rrjet, i cili do të ketë dobi më të madhe në përpjekjet tona kombëtare e rajonale, për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit. Sot kemi nevojë për shkëmbimin e informacioneve të sakta dhe në kohë, pasi kjo gjë ndihmon shumë qëndrueshmërinë rajonale”, tha Zoran Jolevski, ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.

Përfaqësuesit e vendeve të rajonit kanë diskutuar për trajnimin dhe edukimin e kuadrove në kuadër të Qendrës Rajonale në Shkup për marrëdhënie me publikun, si e vetmja qendër e NATO-s në Maqedoni e specializuar në këtë fushë.

“Të ndash dhe të kesh një informacion të gjithanshëm, e sidomos në kohë dhe me shpejtësi, është një gjë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme gjithashtu, që të vendosësh kontaktet dhe bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh me homologët”, tha Edlira Prendi, përfaqësuese e Ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri.

Në konferencën për marrëdhëniet me publikun, që u mbajt në Shkup, morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Italia, si dhe përfaqësues të NATO-s.

Top Channel