Basha: Zgjidhja, qeveri teknike. Të shporrim qeverinë e korruptuar

08/12/2015 00:00

Nga sheshi “Skënderbej” dhe selia e Partisë Demokratike, me mijëra protestues të opozitës kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me thirrjet dhe parrullat kundër qeverisë në këtë 8 dhjetor, që shënon përvjetorin e 25-të nga rënia e komunizimit.

Drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike përshkuan në këmbë gjithashtu rrugën nga selia te podiumi i vendosur përballë zyrës së kryeministrit në bulevard, ku ishin vendosur edhe elemente dekorative për festat e fundvitit. Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë nuk ka pasur të rreshtuar vetëm police femra.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kjo protestë e opozitës do të shoqërohej me incidente të vogla, gjeste dhe veprime më së shumti simbolike kundër qeverisë, për të cilat protestuesit ishin mbledhur në bulevard, e që megjithatë nuk ndërprenë për asnjë moment fjalimet e alternuara të përfaqësuesve të qytetarëve dhe deputetëve e figurave qendrore të PD-së. Të gjithë e kanë cilësuar qeverinë, si më të keqen që ka pasur vendi në 25 vite, duke kërkuar largimin e saj.

Thuajse gjatë të gjithë protestës janë hedhur vezë, ngjyrues, tymuese dhe sende të tjera në drejtim të Kryeministrisë, një pjesë e të cilave kanë pasur si objektiv instalacionin e vendosur në hyrje të godinës, një mënyrë kjo për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeministrit Rama dhe mazhorancës aktuale.

Incidenti që tensionoi më shumë turmën ishte pikërisht momenti kur një person me flamur e PD-së u ngjit në shkallët e Kryeministrisë dhe festonte, por që u shoqërua përkohësisht nga policia.

Megjithatë, turma është qetësuar kur ky protestues u lirua nga policia dhe kur kanë ndërhyrë edhe personat e ngarkuar me sigurinë e mitingut të PD-së. Gjithsesi, kjo çoi më pas në përforcimin e radhëve përreth selisë së Qeverisë me një tjetër “gardh” efektivësh të rendit.

Ndonëse ishte gjatë të gjithë kohës në krah të kryetarit Basha, ashtu sikurse në protestat e kaluara nën udhëheqësinë e re, mungoi një fjalë e kreut historik të së djathtës, Sali Berisha, pavarësisht se për të shkuan ovacionet më të shumta të mbështetësve të PD-së, sa herë që folësit në protestë përmendnin kontributin e tij.

Protesta, që është ndjekur edhe nga media të huaja, është mbyllur me fjalimin e kreut të opozitës, Lulzim Basha, që disa herë theksoi se kjo rrugë e nisur e opozitës nuk do të mbyllet pa rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme.

“Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje: ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë duke bërë sehir largimin e popullit, largimin tuaj nga Shqipëria. Ose të rrëzojmë qeverinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë. Rrugë të mesme nuk ka. Nuk ka më kohë dhe nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë. Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë. Pritja e mbaroi kohën e saj. Ikni, largohuni. Janë ata vet që kanë kurdisur mekanizmin oligarkik të korrupsionit, që mund ta ndalojmë vetëm duke e shkatërruar nga themelet”, tha Basha gjatë protestës.

Gjatë fjalimit të tij, Basha përmendi ato, që opozita i ka denoncuar si aferat korruptive të kësaj qeverie, duke argumentuar dhe nënvizuar në këtë mënyrë edhe qëllimin e protestës së opozitës.

“Qeveria teknike është zgjidhja. Zgjedhjet e reja me rregullat demokratike të shkruara dhe të zbatuara janë zgjidhja. Liri nga tirania e krimit, korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë. Ikni, shporruni! Le të shkruajmë së bashku një faqe të re në historinë e civilizimit tonë, faqen ku shkruhet se shqiptarët u ngritën, u bashkuan dhe përmbysën me forcën e bashkimit një qeveri që kishte dalë nga binarët, që i vidhte, i rrënonte dhe i dëbonte. Faqen ku shkruhet se shqiptarët nuk pranuan kokulur tiraninë e re. Se shqiptarët nuk ranë në natën e gjatë të padrejtësisë, krimit, korrupsionit dhe varfërisë, se u ngritën dhe morën në dorë fatin e tyre. Faqen ku shkruhet se Shqipëria ngrihet dhe shqiptarët ngrihen dhe ecin përpara, drejt dritës së Zotit. Rroftë liria, zoti e bekoftë Shqipërinë”, përfundoi deklaratën Basha.

Top Channel