Basha: Qeveria ka deformuar shtetin ligjor

08/12/2015 11:10

Në vigjilje të jubileut 25-vjeçar të themelimit, Partia Demokratike, atëherë partia e parë opozitare dhe sot sërish në opozitë, beson se në vend nuk sundon shteti i së drejtës, por ajo që Lulzim Basha e quan shteti i së padrejtës.

Në lançimin e Fondacionit Politik të Qendrës së Djathtë për Liri e Demokraci, të drejtuar nga Arben Imami, kreu i opozitës e përqendroi të gjithë vëmendjen tek mënyra sesi qeveria po ushtron pushtetin, duke vendosur nën kontroll, siç tha, jo vetëm median, që duhet të ishte pushteti i katërt në demokraci, por edhe legjislativin dhe gjyqësorin: “Gjykatat shqiptare dhe prokuroria janë sot zogjtë më të trembur të realitetit demokratik shqiptar, përballë një ekzekutivi që i janë vënë përposhtë. Në cilin vend europian, minuta pas telefonatës së kryeministrit që kërcënon gjyqtarin nuk është minuta e tij e fundit si kryeministër?”

Kreu i opozitës thotë se vendi ka nevojë për një reformë kushtetuese dhe elektorale, që shqiptarët të përfaqësohen me elitën e tyre shoqërore, larg çdo vendimarrjeje politike që përfshin të inkriminuarit në sferat më të larta drejtuese të vendit. Në këtë pikë, kreu i opozitës Lulzim Basha dhe lideri historik i demokratëve Sali Berisha folën me të njëjtën gjuhë.

“Shqipëria meriton elita të painkrimuara. Për dekriminalizimin nuk mjafton ligji, duhet vullnet dhe kjo qeveri ka treguar se nuk e ka”, shtoi Basha.

Në këto 25 vjet, demokratët kanë qenë në gjysmën e kohës në pushtet, por Lulzim Basha thotë se është urgjencë jetike për demokracinë që shqiptarët të bashkohen rreth një projekti për ndaljen e devijimit 25-vjeçar të shtetit të së drejtës, për të ndërtuar rreth Partisë Demokratike një konsensus kombëtar për një shtet ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
 
“Dufi dhe zemërata popullore nuk ishte skenar i opozitës, aspak. Ne duam një shtet ligjor, ku të marrë fund aparteidi që të pasurit marrin çdo shërbim dhe asnjëherë ndëshkim, ndërsa të pamundurit dënohen dhe nuk mbrohen nga shteti”, theksoi Basha.

Top Channel