Gjyqi i “Kumanovës”, të afërmit kërkojnë hetim ndërkombëtar

07/12/2015 00:00

Familjarët e 29 personave, që akuzohen se kanë sulmuar policinë maqedonase 7 muaj më parë në “Lagjen e Trimave”, druhen se djemtë e tyre do të dënohen padrejtësisht. Ata nuk i besojnë drejtësisë në Maqedoni, për të cilën thonë se kontrollohet nga politika, ndaj dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastin e “Kumanovës”.

“Ky është një rast i montuar politikisht, një proces i inskenuar prej strukturave udhëheqëse maqedonase, prej koalicionit shqiptaro-maqedonas. Është një skenar i përgatitur, që ngjason me skenarët e tjerë të përgatitur edhe më parë, duke filluar nga viti 2001 e deri më sot”, tha Muhamet Shehu, vëllai i Demë Shehut.

Shumica e të akuzuarve për rastin e “Kumanovës” janë shtetas të Kosovës. Të afërmit e tyre, që kanë pritur me orë të tëra para Gjykatës Themelore në Shkup, deri në përfundimin e seancës së parë gjyqësore që u mbajt këtë të hënë, nuk arritën t’i shohin të akuzuarit, pasi policia nuk i lejoi të hinin në gjykatë.

“Ne kemi ardhur për të hyrë në gjykatë dhe për t’i parë të afërmit tanë. Pra, për të shfrytëzuar një të drejtë tonën, që na takon, por jemi ende pa përgjigje. Presim këtu, gra, fëmijë, pleq”, tha Gani Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit.

Familjarët kanë folur edhe për keqtrajtimet e shumta, që kanë përjetuar në burg të akuzuarit.

“Këta kanë pasur vuajtje të mëdha, kanë pësuar tortura, raprezalje, rrahje, thyerje të pjesëve të ndryshme të gjymtyrëve, të dhëmbëve etj.”, tha Ismail Zekaj, babai i Valdet Zekaj.

Seanca e parë gjyqësore për rastin e Kumanovës u mbajt nën masa të rrepta sigurie.

Top Channel