Rama në Kukës: Mbështetje për bujqësinë

06/12/2015 14:40

Pas shtatë muajsh, kryeministri Edi Rama është rikthyer në biznesin e Destan Hallaçit në Kukës. Kjo pikë e grumbullimit të bimëve mjekësore mori pak muaj më parë mbështetjen financiare të qeverisë përmes Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor Rural. Megjithëse kishte një numër të konsiderueshëm punonjësish për zonën, kushtet e këtij biznesi nuk ishin optimale.

Sipërmarrësi thotë se falë grantit të qeverisë dyfishoi kapacitetin grumbullues të bimëve, duke zgjeruar akivitetin që përfshin në mënyrë direkte dhe indirekte rreth 1000 fermerë të këtij rajoni në mbjelljen e bimëve mjekësore. Me ta do të lidhen kontrata, duke rigjallëruar kultivimin e bimëve mjekësore në këtë rajon, traditë e kësaj zone, që përveç tregut vendas përpunon edhe për tregje të huaja.

“Është një ndërmarrje që krijon punësim në një zonë që e ka problem papunësinë”, tha Rama.

Shefi i qeverisë tha se ky biznes është model për nxitjen e investimeve të ngjashme, duke garantuar mbështetjen e qeverisë përmes krijimit me buxhetin e ri të Fondit Kombëtar te Garancisë për Bujqësinë: “Me mbështetjen e qeverisë, bankat do të mbështesin fuqimisht sektorin e bujqësisë. Duke nisur nga viti i ardhshëm është rreth 300 milionë euro brenda 3 viteve”.

Në Kukës, kryeministri Rama inspektoi punimet e ndërhyrjeve të sheshit qendror të këtij qyteti. Kukësi do të ketë shëtitoren e re dhe parkun e ri, sikundër edhe elementë muzealë të rikujtimit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

“Ky transformim, që vjen si rezultat i mbështetjes që ne i kemi dhënë Kukësit, do të sjellë më shumë energji pozitive, ekonomi dhe do të pasohet nga ndërhyrje të tjera në vitin e ardhshëm”, theksoi Rama.

Punimet që pritet të mbarojnë pas tre muajsh, kapin vlerën e 1.5 milionë dollarëve, dhënë nga qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku përveç sheshit dhe parkut, përfshihet edhe trajtimi i fasadave të pallateve, godinave shtetërore, gjelbërim dhe ndriçim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA