PS: Basha kërkon revolucion duke trashur zërin; PD: Frikë nga 8 dhjetori

06/12/2015 00:00

Dy selitë më të mëdha kanë replikuar në distancë. Pas fjalës në konventën e të rinjve demokratë, Partia Socialiste tha se ngritja e tonëve të zërit të Lulzim Bashës nuk u bën përshtypje shqiptarëve që panë sesi demokratët qeverisën për 8 vite.

“Lulzim Basha mendon se duke trashur zërin do të fitojë pak më shumë mbështetje brenda radhëve të PD. Kjo është e vetmja arsye që pas humbjes së thellë në zgjedhje e 2013-ës dhe pas humbjes edhe më të thellë në zgjedhjet e 2015-ës, Basha kërkon revolucion. Kjo mazhorancë ka shumë për të bërë, vërtetë rritja ekonomike është dy herë më e lartë se kur qeveriste Partia Demokratike, por duhet edhe më shumë që shqiptarët të jetojnë edhe më mirë. Po luftojmë informalitetin, po vendosim rregull, po bëjmë shtet e po punojmë për reformën në drejtësi që për Shqipërinë të hapet një faqe e re”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza.

Partia Demokratike përmes Grida Dumës e cilësoi  frikë nga marshimi i datës 8 dhjetor, reagimin e socialistëve menjëherë pas fjalës së Bashës.

“Sa më shumë afron 8 dhjetori, dita e bashkimit popullor kundër Edi Ramës dhe byrosë së hajdutëve, aq më shumë rritet ankthi dhe paniku i njeriut që raportet ndërkombëtare e kanë përcaktuar si pronarin e 200 milionë eurove, kryeministrin më të pasur të vendit më të varfër në Europë. Ankthi i tij buron nga fakti se me 8 dhjetor në shesh nuk do të mblidhet vetëm opozita, por një popull mbarë i shtypur, i dhunuar nga keqqeverisja nga korrupsioni, nga krimi i ngritur në pushtet nga padrejtësia. Koha e Edi Ramës, bandës së tij prej 40 hajdutëve ka marrë fund”, tha Grida Duma.

Top Channel