Belind Këlliçi, kryetari i ri i Forumit Rinor të Partisë Demokratike

06/12/2015 21:00

Pas mbajtjes së 20 konventave kombëtare, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka zgjedhur drejtuesin e ri, i cili është Belind Këlliçi.

“10 mijë e 100 anëtarë, me parimin një anëtar një votë, zgjodhën drejtuesin e ri, pas 20 debateve kombëtare. Këto zgjedhje ishin një spektakël i demokracisë, i garës, i konkurencës së ideve dhe platformave. Në këtë proces që mbahet për herë të parë në vendin tonë, të gjithë anëtarët e forumit patën mundësinë të ndjekin debatin mes kandidatëve dhe të vendosin me votën e tyre për kryetarin e FRPD.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Partia Demokratike.
 
Në fund të konvetës së Tiranës, e cila ishte e fundit, Këlliçi mori 4706 vota, kundrejt Ervin Salianjit me 4132 vota dhe Oriela Nebiaj me 1105 vota.

Kryetari i ri i forumit Belind Kelliçi është 28 vjeç, ka mbaruar studimet për shkenca menaxhimi dhe ekonomi në Universitetin e Maryland, SHBA dhe prej vitesh është aktivizuar në politikë, në Partinë Demokratike. Belindi e ka nisur aktivizimin e tij politik në degën 10 në Tiranë. U zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, nga Kuvendi Kombëtar në vitin 2014. U votua nga Këshilli Kombëtar si anëtar kryesie i Partisë Demokratike në rolin e drejtuesit të Departamentit të të Përndjekurve dhe Pronarëve, post nga i cili u dorëhoq pasi shpalli kandidaturën për drejtues i Forumit.

Këlliçi mori urime edhe nga kreu i kësaj force politike. Lulzim Basha vlerësoi dhe uroi kryetari e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike me anë të një deklarate.

“Urimet më të përzemërta Belind Këlliçit, kryetarit të ri të Forumit Rinor të sapozgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të të rinjve dhe të rejave demokrate!!! Urime edhe për Ervin Salianjin dhe Oriela Nebiaj që shpalosën përmes kësaj gare vlerat e tyre politike dhe organizative. Shpirti i garës dhe bashkimi rreth vlerave të demokratëve konfirmuan këtë 25-vjetor të Lëvizjes Studentore se rinia është dhe do të mbetet pasuria më e çmuar e Partisë Demokratike të Shqipërisë! Krenar me FRPD!”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kreu i PD-së.

Top Channel