Konventa e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ku do të zgjidhet edhe drejtuesi i ri i tij, për Lulzim Bashën merr këtë prag 8 dhjetori dritën e një zhvillimi tejet të rëndësishëm.
“8 dhjetori është ditë e historisë dhe kujtesës, por 8 dhjetori i ardhshëm është sërish një ditë për të bërë histori, pasi është dita për largimin e qeverisë”, tha kreu i PD-së.
Lulzim Basha renditi të gjitha kategoritë sociale, që sipas tij nuk kanë parë nga kjo qeveri veçse shtypjen dhe terrorin, vjedhjen dhe agresionin e saj, për të cilat, tha ai, nuk ka asnjë reflektim: “Do ta bëjnë më keq, po t’i lëmë ne. Por ne nuk do t’i lëmë. Këtu mbaron koha e tyre. Kupa është derdhur dhe durimi i shqiptarëve ka marrë fund”.
Nga kjo konventë, Lulzim Basha i dha përgjigje edhe pyetjes: si do ta rrëzojë qeverinë? “Me pjesëmarrjen masive dhe mbarëpopullore, me vendosmëri, me qëndrueshmëri dhe pa u lodhur për asnjë çast, deri në realizimin e objektivave tona. E kanë treguar rumunët dhe maqedonasit, do ta tregojnë edhe shqiptarët. Të nisemi në datën 8 dhjetor, pa kthim, deri në zgjidhje”.
Lulzim Basha, i cili konfirmoi se marshimi i 8 dhjetorit nuk do të jetë i veçuar, por i vazhdueshëm, ftoi qytetarët në protestën që do të nisë në sheshin “Skënderbej” dhe do të vijojë me ecjen në bulevard drejt Kryeministrisë: “Bekim pastë rinia e Shqipërisë që i vjen shansi të risjellë lirinë nga tirania e krimit, korrupsionit, padrejtësisë dhe varfërisë”.
Top Channel