Ndocaj: PD fton njerëzit në protestë duke përdorur imazhin tim

05/12/2015 00:00

Deputeti demokristian, Eduart Ndocaj ka marrë fjalën gjatë seancës maratonë që po zhvillohet për projektbuxhetin e vitit 2016. Ai ka zgjedhur t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve për siç ka thënë ai, talljen që po iu bëhet.

“Kemi 48 orë që më shumë merremi me të kaluarën e njëri-tjetrit se sa me të ardhmen e shqiptarëve. Dua t’ju kërkoj falje në emrin tim sepse po bëhen vite që ata po tallen në këtë mënyrë”, tha Ndocaj.

Megjithatë, ai ka pasur një kërkesë edhe për deputetët e Partisë Demokratike, të cilëve ju kërkoj që të mos përdoret imazhi i tij për të mbledhë sa më shumë njerz në protestën e 8 dhjetorit.

“PD po përdor imazhin tim për të grumbulluar sa më shumë njerëz më 8 dhjetor. Kanë dalë nëpër Facebook. Ata e dinë që unë jam popullor dhe pozitiv, por do të dështoni në këtë përpjekje. E di se jeni në kërkim të një lideri, por unë s’do të jem unë lideri juaj”, ka thënë Ndrecaj duke bërë që të gjithë deputetët të shpërthejnë në të qeshura.

Top Channel