Kuvendi miraton pr.ligjin për buxhetin e vitit 2016, bie propozimi për CEZ-in

04/12/2015 00:00

Prej më shumë se 14 orësh diskutime me akuza dhe kundër akuza, deputetët e Kuvendit votuan projektligjet e rendit të ditës si dhe ato të një dite më parë. Në momenin e votimit, në sallë ishin 125 deputetë gjë që plotësoi kuorumin e nevojshëm.

Projektligji për buxhetin e vitit 2016 u miratua në parim pasi mori 84 vota pro, ndërsa të njëjtin fat nuk e kishte edhe hetimi ndërkombëtar i CEZ. Kjo pikë e rendit të ditës nuk u miratua pasi 52 ishin kundër dhe vetëm 63 pro.

Me 85 vota pro, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjet “për akcizat”, “për taksat kombëtare”, “për sistemin e taksave vendore”  dhe “për mbledhjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”

Po ashtu, me nga 85 vota Kuvendi miratoi shtesën në ligjin “për sigurimet shoqërore” dhe në atë “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”.

Kuvendi gjithashtu miratoi me 85 vota pro ligjin“për punëkërkuesit” dhe me 79 vota atë “për trajtimin e pronës”.

Me shumicë të cilësuar u votuan Kodi i Familjes që mori 86 vota pro, Kodi Penal që mori 84 vota pro dhe Kodi i Punës 85 vota pro.

Në fund, u bë edhe votimi për anëtarët e KQZ-së, Edlira Jorgaqi, që ishte propozim i maxhorancës, dhe Klemnet Zgurit, propozim i opozitës. Pasi morën votat e mjaftueshme, ata u betuan edhe para deputetëve të Kuvendit.

Blushi: Qeveria ka pastruar Shqipërinë nga të varfërit; reagon Ahmetaj: Shih statistikat

Deputeti Ben Blushi, në fjalën e tij në Parlament ka ironizuar nismën e qeverisë “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” dhe ka përdorur tone ashpra ndaj qeverisjes së dy viteve të fundit.

Blushi ka theksuar se, ndryshe nga sa pretendon, qeveria ua ka bërë edhe më të vështirë jetën shtresave të varfëra, të cilat kanë zgjedhur të emigrojnë.

“Për mënyrën se si duhet të pastrohet Shqipëria edhe unë kam mendimin tim dhe do ta them. Në dy vjet qeverisje ne kemi arritur ta pastrojmë Shqipërinë nga të varfërit. Po ua bëjmë jetën më të vështirë se ç’e kishin dhe se ç’e kishin menduar. A e ka më të lehtë jetën sot një i varfër? A e ka më të lirë ai koston e shëndetësisë dhe arsimit? A është kostoja e menaxhimit social për shtetin më e lirë? Në përgjithësi, gjendja e të varfërve po bëhet më e vështirë. Shumica jonë i ka tradhëtuar të varfërit. Kjo qeveri, më vjen keq kur e them, ka një problem shtesë: i shton koston të varfërit”, ka thënë Blushi.

Sipas Blushit, një qeveri që nuk vjen nga një nivel modest e ka të vështirë të përfaqësojë ata që janë në pozitë të vështirë. Ai është shprehur i vetëdijshëm për vështirësitë që mund të hasen në këtë rrugë, por drejtimi i duhur sipas tij është ende larg.

“Unë jam nga ata që mendojnë Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur, sepse shqiptarët po largohen. Nuk janë paratë që i mungojnë kësaj qeverie, asaj i mungojnë idetë dhe modestia që kanë më shumë vlerë se paraja. Shumica jonë nuk e njeh varfërinë e Shqipërisë. Qeveria nuk e njeh se çfarë është varfëria”, ka thënë Blushi.

Duke shtuar pyetjen se, çfarë ka ndryshuar për 2 vjet, ai ka dhënë këtë përgjigje: “E kam të vështirë të vërtetoj se situata ka ndryshuar. Kapitalizmi deri në vitin 2013 ishte kapitalizëm zoologjik, ku kafsha më e fortë fitonte më shumë. Bariu i fuste kafshët në konkurrencë dhe më i forti merrte pjesën më të madhe. Por puna është se çfarë kemi sot? A është ky kapitalizëm më pak represiv, më modern? Jo, nuk është. Kapitalizmi i sotëm është blegtoral. Një i diplomuar që fiton mbi 1 mln lekë taksohet 23 për qind, ndërsa ai që fiton 1 mln euro taksohet 15 për qind. Kjo nuk është taksë progresive”, ka thënë Blushi.

Ai u është përgjigjur edhe atyre që përmendin si zgjidhje zgjedhjet e parakohshme. “Vërtet mendoni se ky këtu mbrapa (Rama) që ka frikë të bëjë zgjedhje në parti ka kurajë të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Jo, nuk ka”, ka shtuar Blushi.

Ahmetaj-Blushit: Statistikat flasin ndryshe

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj i është përgjigjur kolegut Blushi lidhur me situatën ekonomike duke i bërë referim statistikave. Duke e cilësuar qëndrimin e kolegut socialist të denjë për një ekstremist të majtë ose romantik, Ahmetaj ka thënë se statistikat flasin për një situatë tjetër.

“Është e vështirë të bësh debat me një nga tanët. Është e thjeshtë me opozitën sepse ajo nuk pranon të njohë realitetin. Por kjo është e justifikueshme, ndërsa me një mik është e vështirë. Ajo që vura re në fjalën tënde, me pyetjet që janë legjitime, mund të them se ato i bën një i majtë ekstrem ose romantik. Por mes romanticizmit ekonomik dhe ekonomisë reale ka statistika dhe unë nuk dëgjova asnjë statistikë”, ka thënë Ahmetaj.

Dule: Mjaft me delir, realiteti ekonomik është i zymtë

Edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule u është bashkuar kritikave sa i takon situatës ekonomike në vend. “Ka gënjeshtra, gënjeshtra të mallkuara dhe statistika”, ka thënë Dule duke cituar një ish-kryeministër britanik.

“Buxheti nuk është një lojë me shumë zero, ku ka fitues dhe humbës. Një buxhet është i tillë kur nuk ka ngjyrime partiake”, ka vijuar ai.

“Në të gjitha buxhetet tona nuk i shmangemi dot delirit të vlerësimit historik. Njëherë është buxheti më i madh i të gjitha kohërave, njëherë rritja më e madhe ekonomike. Mjaft më. Le t’i lëmë referencat historike dhe t’u kushtojmë vëmendje atyre të realitetit. Jemi në një realitet ekonomik të zymtë. Le të jemi modestë dhe transparentë”, ka thënë Dule.

Tahiri: Qytetarët të neveritur nga ky parlament, por nuk jemi të gjithë njësoj

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri gjatë fjalës së tij nga foltorja Kuvendit në seancën e sotme plenare ka akuzuar opozitën se me fjalorin e përdorur dhe akuzat e artikuluara e ka kthyer sallën e parlamentit në një turp të madh, nga i cili njerëzit që e shohin, sipas tij, ndihen të neveritur.

Por, Tahiri u ka apeluar njerëzve se jo të gjithë janë njësoj brenda sallës së Kuvendit, pasi në të, sipas ministrit të Brendshëm, ka burra e gra, të rinj apo të vjetër që kanë kontribuar dhe kanë dëshirë të kontribuojnë për përmirësimin e jetës së shqiptarëve.

“Ajo që ndodh këtu është për turp. Qytetarët janë të neveritur nga ky parlament. Degradim i ndodhur në këtë sallë na ka kthyer në një turp të madh para njerëzve. Kush mendoni se beson se ka ndonjë fije serioziteti kur pasi jeni zënë me njëri-tjetrin flisni për të varfrit, sipërmarrjen, arsimin, shkollat, drejtësinë? Kush mendoni se beson më se kanë mbetur më burra dhe gra në këtë sallë që e kanë seriozisht betejën për një Shqipëri më të mirë? Seancat e sotme janë një vullgaritet i madh. Por nuk jemi të gjithë njëlloj në këtë sallë. Këtu ka burra dhe gra të ndershëm, që kanë kontribuar për të mirën e shqiptarëve”, ka thënë Tahiri.

Shehu: Buxheti 2016, një shtëpi pa themele. Cani: Mjaft me sharje

Deputeti i PD, Sherefedin Shehu ka deklaruar se, buxheti i qeverisë për vitin 2016 nuk do të sjellë asnjë risi për ekonominë shqiptare.

“E vetmja e re e këtij buxheti është taksa zero, që është aventura e fundit e Edi Ramës. Rama dhe mbështetësit e tij duhet të kuptojnë se me taksat zero për biznesin e vogël nuk bëhet shtet”, ka thënë Shehu.

Sipas tij, kryeministri është i vetëdijshëm për këtë dhe e ka kuptuar që ka hyrë në një rrugë pa krye.

“E kemi provuar, por e kemi kuptuar që kryeministri është sprapsur sepse ka rënë në kurth dhe nuk ka nga t’ia mbajë: ekonomia po bie në gropë. FMN po ia nxjerr, prandaj dhe ai hodhi në shesh taksat zero”, ka thënë Shehu.

Nga kjo situatë, ka vijuar ai, për herë të parë pas 18 vjetësh vjen buxheti i parë i shkurtuar me mbi 20 miliardë lekë.

“Qeveria është në panik, ajo po përgatit aktin e pestë të rishikimit të buxhetit, për të mbuluar gropën fiskale që krijon. Janë 40 mld lekë shtesë që duhet të vinin nga 2014 deri në nëntor 2015, ndërkohë që nuk ka ardhur asnjë lek më shumë nga miradiministrimi. Që do të thotë se ka evazion fiskal”, ka saktësuar Shehu.

“Buxheti i vitit 2016 është si një shtëpi lodër, pa themele, që do të bjerë menjëherë. Dhe ky buxhet do të bjerë sapo të fillojë viti 2016”, ka vijuar deputeti demokrat.

Ai ka nënvizuar se, rritja do të jetë 1 për qind më pak, gropa fiskale do të vijojë me 140 milionë dollarë të tjera dhe borxhi publik do të rritet 2 për qind më shumë sesa ai i raportuar nga qeveria.

“Qeveria do të ulë shpenzimet në buxhet, por ato për luksin e saj do të rriten. Ajo që presin qytetarët është e hidhur, ata duhet të përgatiten se vitin e ardhshëm do të paguajnë më shumë dhe nuk do të marrin asgjë nga ky buxhet”, ka shtuar Shehu.

Akuzave të Shehut u është përgjigjur ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka thënë: “Kur rrisim taksat, keq. Tani që po i ulim, sërish keq. Ti shan buxhetin dhe kaq. Se çfarë thua, ti nuk merresh vesh”.

Majko: Informaliteti, sukses i qeverisë

Deputeti i PS, Pandeli Majko u është përgjigjur kritikave të bëra nga opozita në adresë të qeverisë sa i takon buxhetit dhe mbledhjes së të ardhurave.

Duke u shprehur i vetëdijshëm për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, Majko ka theksuar se kjo qeveri ka arritur disa suksese.

“Reforma kundër informalitetit mbetet suksesi kryesor i kësaj qeverie. Ajo po bën një operacion shumë të vështirë, njësoj si të vësh semafor në xhungël. Sado kundërshtar i kësaj qeverie të jesh nuk mund të mohosh faktin se CEZ nuk merr më para nga xhepat e taksapaguesve, por me shpenzimet e saj garanton investime”, ka thënë Majko.

Majko ka sqaruar edhe situatën e borxhit të Shqipërisë. “Kolegët thonë se Shqipëria është futur në tregun e eurobondeve dhe ka marrë borxh. Të jemi të qartë, është marrë borxh për të paguar borxhin”, ka sqaruar deputeti socialist.

“Nuk ka rritje pagash, as rritje pensionesh, siç ne do të dëshironim, por të mos harrojmë se i gjithë rajoni e më gjerë jëtojnë në kohë të vështira”, ka thënë më tej Majko, i cili ka komentuar edhe protestën e paralajmëruar nga PD për më 8 dhjetor.

“Unë nuk mendoj se do të ndodhë ndonjë revolucion i madh. Unë nuk iu druhem atyre që do të dalin në protestë më 8 dhjetor, unë më shumë iu druhem atyre biznesmenëve të vegjël që dalin para Kryeministrisë dhe kërkojnë që gjobat të jenë më të ulëta, sepse mendoj se kanë të drejtë”, ka shtuar Majko.

Patozi: Kjo është një qeveri e rënë. Buxheti, më i dëshuari në histori

Deputeti i PD, Astrit Patozi, në fjalën e tij në Parlament ka ritheksuar qëndrimin e tij se qeveria e vendit është e rënë. “Kjo është një qeveri e rënë. Kjo është e para qeveri në botë, ku gjysma e saj punon për të rrëzuar gjysmën tjetër”, ka thënë Patozi.

Sa i takon buxhetit të hartuar nga kjo qeveri, Patozi ka theksuar se, ndryshe nga sa pretendojnë ministrat, ai është më i dështuari në histori.

“Ky buxhet është pranimi me shkrim i një dështimi spektakolar. Këtë e tregon fakti se kryeministri nuk qeverisi një ditë të vetme sipas premtimeve që bëri në fushatë. Ky është buxheti me shpenzimet më të ulëta publike dhe investimet më të pakëta”, ka thënë deputeti demokrat.

Sipas tij, kjo qeveri është karakterizuar nga lufta Rama-Meta, të cilët kacafyten njësoj si dy gjela e që ka dhënë pasojat e saj tek ky buxhet.

“Ky është një buxhet dëshpërues, ku shëmbëllehet rënia e një kryeministri që nuk shkëlqeu asnjë ditë. Ai ka shkurtuar me dhjetëra milionë euro parashikimet për mbledhjen e të ardhurave. Sot kemi një qeveri të korruptuar e të pashpirt. Shqiptarët prej 2 vjetësh konsumojnë dhe shpenzojnë më pak dhe më të varfërit ishin viktimat e para të kësaj qeverie që priret të jetë e majtë”, ka thënë më tej Patozi.

Ai ka komentuar edhe fushatën “Të pastrojmë Shqipërinë” të nisur nga kryeministri Rama. “Jam dakord që Shqipëria është bërë shumë pis këto dy vjet. Parlamenti është bërë llum. Do të votojmë pas pak ditësh për të larguar disa vrasës e trafikantë, që a thua se ishin futur rastësisht këtu mes nesh”, ka thënë Patozi.

Berisha: Buxheti i katastrofës, qeveria përdor arrogancën si argument

Ish kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2016 si buxheti i katastrofës. Qeveria përdor arrogancën si argument, tha Berisha, ndërsa “lumturorët flasin nën efekt”.

“Me këtë buxhet do ikni dhe ju po e gjetët nga vetja juaj dhe ju uroj. Dhe nga ne po, po dhe nga vetja se na ndihmuat. Është buxheti i funeralit të një qeverisje që nuk meritonte të ishte një ditë. Më duhet tu them se nëse dy vite me radhë nga kjo platformë unë kam denoncuar buxhetin e gropës, kësaj here denoncoj buxhetin e katastrofës. Ju garantoj dhe do të jemi këtu çdo muaj para syve tuaj do të zhvillohet kjo katastrofë ekonomike në të cilën e zhyti kjo maxhorancë ekonominë shqiptare. Kemi të bëjmë me një buxhet katastrofe dhe me lumturorë që flasin nën efekt dhe efekt “deep”, jo tjetër. Ky tjetri se mar vesh sa lumturi këtë vit, lumturi qytetarë mbi fatkeqësinë tuaj”, tha Berisha.

Qeveria mashtron me shifrat tha ish kryeministri, duke paraqitur injorancën si argument. “Kur kjo maxhorancë shndërron gënjeshtrat në shifra, shndërron grafiqet në gënjeshtra, shndërron të dhënat në falsifikime e mashtrime, shifrat i injoroni, i harroni, nuk operoni dot me to. Paraqiti një zinxhir të pafund orësh të gjata injorancën si argument. Dhe kur ti u servir të tjerëve injorancën si argument është një problem shumë madhor. Nuk thotë kryeministri defiçitit për borxh dhe borxhit për defiçit se janë kategori krejtësisht të ndryshme”, tha Berisha.

Cani: 14.5 miliardë lekë vijnë nga lufta kundër informalitetit

Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se 14.5 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm do të vijnë nga lufta kundër informalitetit. Ai akuzoi opozitës se po përhap panik në publik.

“U është fiksuar ideja e panikut, për të ngjallur panik te njerëzit për të krijuar idenë, sikur do bëhet qameti. Në këtë buxhet të vitit 2016, 14.5 miliardë lekë do të vijnë nga lufta kundër informalitetit. Nga reforma e tërë kundër informalitet. E keni aty në vend që të filozofoni”, tha Cani. 

Investimet, tha ai, këtë vit janë 92 miliardë lekë më të larta. Cani tha se ka ndryshuar raporti i shërbimeve operative me investimet, 40-60%.

“80 e ca për qind e ekonomisë shqiptare është private. Nuk them se cila parti e ka bërë se të gjithë e kemi bërë në këto 25 vite privatizimin, nuk po them kush më shumë e kush më pak. Po që të jetë 80 e kusur përqind e ekonomisë në duart e privatit dhe t’i të mendosh se çfarë parash shpenzon shteti është dozë e thellë naivititet. Shteti pjesën e vet në këtë rritje ekonomike me 92 mld lekë e ka pjesën e vet”, tha ministri Cani.

Bode: Qeveria dështoi me mbledhjen e taksave

Ish ministri i Financave Ritvan Bode tha se qeveria ka dështuar në mbledhjen e taksave, dhe se faktorët e paraqitur nga kryeministri Edi Rama janë thjesht apologji për të fshehur evazionin që ka në sistemin e doganave.

Referuar rënies së çmimit të naftës në bursa, Bode tha se pagesa e importuesve bëhet me lekë dhe se dollari është rritur nga 106 në 128 lekë.

“Shqiptarët këtu i pagujanë importuesit në lekë dhe dollari nga 106 lekë është 128 lekë. Janë rreth 20 e ca lekë për litër që duhet ti kishim marrë më shumë, po ku i kanë dhe nuk i bëjën hesapet me leke, me tregun me çmime më të larta të karburantit në të gjithë rajonin”, tha Bode.

Bode tha se mospagesa e TVSH-së për HEC-et private është faktor për mosrealizimin e parashikimit të qeverisë, për të cilën kryeministri Rama tha se ka rënie të importit të energjisë.

“TVSH e energjisë elektrike llogaritet dhe paguhet mbi bazën e çmimit përfundimtar që ka te qytetari dhe nuk ka rëndësi nëse vjen te importi. Me këtë zbuluan faktin se nuk kishin paguar TVSH e të gjithë HEC private që prodhojnë energji, që në procesin e pagimit të taksave do të rimbursohen në pjesën e rimbursueshme. Të gjitha janë thjesht apologji për të fshehur evazionin e madh që ka në sistemin e doganave”, tha Bode.

Rama: Mitingun ta bëni, revolucionin ta ëndërroni

Në përfundim të fjalës së tij të shoqëruar me tensione në sallën e Kuvendit, kryeministri Edi Rama tha se opozita duhet ta harrojë ëndrrën për zgjedhje të parakohshme.

“Mitingun ta bëni, revolucionin ta ëndërroni. Po për sa kohë do vazhdoni të bëni mitingje duke ëndërruar revolucionin do mbeteni te llojet e vjetra të sportit që në fund të ditës do mbeteni vetëm. Që tu vinë shqiptarët prapa në atë lloj sporti, ajo kohë iku”, tha Rama.

Fjalimi i kryeministrit është shoqëruar me batuta të herë pas hershme drejtuar deputeëtve të opozitës, që i ndërprisnin fjalën herë pas herë. “E di që ti ske respekt për pulat se të duket vetja më i mençur se një pulë, ndërsa unë duke të parë ty më rritet respekti për pulat”, i tha kryeministri deputetit të Shkodrës Helidon Bushati.

“Tju flas ju për arsimin është njësoj si të predikosh kulturë në stallë. Kështu që unë nuk do flas për arsimin. Nëse keni pyetje bëjini do tu japë përgjigje”, iu drejtua Rama deputetëve të PD-së.

Paloka: Kryeministri si Ahmedinexhadi. Rama: Mëshirë për Palokën

Prezantimi prej afërsisht 4 orësh i projekt/buxhetit të vitit të ardhshëm të kryeministrit Edi Rama është bërë objekt batutash mes tij dhe kreut parlamentar të grupit të PD-së, Edi Paloka.

“Zoti kryetar ne e dëgjuam kryeministrin për 4 orë, se është bërë si Ahmedinexhadi. Unë do të doja që të mos kemi skena të tilla më në Parlament, ju duhet t’i tërhiqni vëmendjen këtij zotërisë sa herë rrëshket.  Nuk është faji jonë që ai nuk di të flasë për buxhetin. Atë punën e gojës dhe zorrës nuk e ka për herë të parë sot dhe ne e kemi thënë dhe herë tjetër. I vetmi që as gojën as zorrën nuk i përdor për ato që ia ka dhënë Zoti është ai zotëria aty”, tha Paloka.

“Normalisht kur hidheni përpjetë dhe bëni akuza se dikush ju tha atë që në fakt jua tha, e merrni  me mend se gjuha shkon ku dhemb dhëmbi.. minimalisht duhet të keni aftësinë që çfarë kërkoni nga tjetri ta mishëroni vetë. E mora fjalën për të kërkuar mëshirën e shumicës këtu të pranishme dhe gjithë popullit shqiptar për këtë që foli para meje (Edi Paloka), se vura re që është ora dy dhe ky ka orën që duhet të fitojë çorbën. Me ato që tha thjesht garantoi bukën e përditshme që ia jep i madhi Zot. Mëshirë për zotëriun”, iu përgjigj Rama.

Sërish tensione; opozita ndërpret Ramën, Meta seancën

Seanca parlamentare, ku po shqyrtohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm, është tensionuar pak kohë pas mbërritjes në sallë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe në kohën që në foltore vazhdonte prezantimin e projektit, kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij të gjatë, Rama akuzoi opozitën për shpifje karshi maxhorancës dhe qeverisë. “Mos nxirrni nga goja gjëra që nuk janë në funksion të saj për të nxjerrë”, tha ai ndër të tjera.

Kjo ka mjaftuar që deputetët e Partisë Demokratike të ngriheshin të revoltuar duke iu drejtuar foltores, nga e cila i ndante personeli i sigurisë së Kuvendit.

Pas pak momentesh tensione, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndërpreu seancën për të rifiluar pas qetësimit të situatës.

Pronat, Rama mbron ligjin: I jep zgjidhje problemit

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, kryeministri Edi Rama foli edhe për ligjin për pronat, i kritikuar ashpër nga opozita, e cila e shkon deri atje sa e krahason atë me të njëjtën reformë të regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

Rama tha se me këtë ligj qeveria synon t’i japë fund brenda 1 dekade çështjes së pronësisë, për të cilin fajësoi politikën se në 20 vjet e zvarriti duke penguar zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kanë kurajo të përmendin ‘44 dhe ’46. Në ’44 dhe ‘46 u bënë gjakderdhje dhe rrëmbyen me ideologji të drejtpërdrejtë pronat e shqiptarëve, kurse nga ‘91 e deri më tani që vijmë tek ky ligj, tjetër është thënë dhe tjetër është bërë”, u shpreh Rama.

Lidhur me akuzat e opozitës për punësimin, Rama tha se në premtimin e 300 mijë vende të punës është folur për vende të reja dhe atyre të formalizuar. Ai deklaroi se deri më tani janë hapur 160 mijë vende të reja pune nga ekonomia dhe formalizimi i saj.

Buxheti 2016, Rama: 3.4 përqind rritje ekonomike

Qeveria parashikon një zgjerim me 3.4 përqind të ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm. Kryeministri Edi Rama deklaroi në sallën e Kuvendit se kjo shifër është vendosur pas analizave të përbashkëta me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Në projektin e paraqitur për miratim dhe në bazë të analizave të bëra edhe me FMN, parashikimi ynë është për një rritje prej 3.4 përqind”, tha Rama.

Rama: Borxhi ulet në minimumin historik

Seanca parlamentare e të premtes për buxhetin 2016 nisi me prezantimin e kryeminsitrit Edi Rama. Referuar akuzave të opozitës për rritjen e borxhit, kryeministri tha se vitin e ardhshëm, borxhi do të ulet në minimumin e tij historik me 2.2 % të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.

Duke prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm, Rama tha se modeli i maxhorancës stimulon rritjen e ekonomisë. Ai e ka quajtur një propagandë të shfrenuar shpifëse deklaratat e opozitës duke treguar një të pavërtetë për rënien e të ardhurave nga parashikimi dhe borxhin.

“Kjo e propagandës së shfrenuar shpifëse e gënjeshtarëve për tu treguar shqiptarëve një të pavërtetë të madhe se rënia e të ardhurave nga parashikimi, jo nga fakti konkret se të ardhurat janë rritur ndjeshëm dhe këtë vit, sipas kundërshtarëve tanë sepse këto para vidhen, është tërësisht e pavërtetë. Ne s’mund t’ia mohojmë askujt të drejtën që na qepet pas me ulërima duke na u kundërvënë për rënien e borxhit. Pa dyshim nuk mund të prekemi nga të tillë lot krokodili ndërkohë që faktët flasin troç për këdo që ka dëshirën ti dëgjojë. Faktet flasin se borxhi i marrë në këto dy vite është ulur ndjeshëm”, tha Rama.

Ndryshe nga herët e tjera, ai nuk ka prezantuar arritjet e buxhetit, por ka bërë një pasqyrë të të ardhurave të dy viteve. Për kryeminsitrin vetëm në vitin 2014 u mblodhën më shumë të ardhura se në pesë vitet paraardhëse. Ai ka shpjeguar edhe arsyet se pse parashikimi i qeverisë për mbledhjen e të ardhurave këtë vit nuk u realizua

Rama renditi si shkaqe rënien e çmimit të naftës në bursa, përgjysmimi importit të energjisë elektrike, rënia e importit të cigareve dhe rënia e importit të fruta perimeve, si dhe rënia e kursit të këmbimit euro-lek.

“Të ardhurat tatimore mesatare në raporti me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar për periudhën 2006-2013 janë 23.3% dhe 23.1% nëse nuk përfshijmë vitin e famshëm 2008, ku u hap dhe gropa e madhe në arkën e shtetit shqiptar me gjithë atë procedurë ende sot për tu gjykuar nga drejtësia     që çoi në ndërtimin e rrugës së kombit. Në vitet 2014-2015, të ardhurat tatimore në raport me PBK janë 24 % e këtij prodhimi. Pra, janë në përqindje, dhe besoj është me e rëndësishme për t’iu afruar të vërtetës. Në vitet 2014-2015 të ardhruat shtesë janë 598 milionë dollarë ,në krahasim me 2013, pra më shumë se gjysëm miliardi dollarë. Të ardhurat nga tatimet e doganat 2014-2015 janë 330 mln dollarë më të larta”, bëri të ditur Rama.

Top Channel