
Ish-ministri demokrat i Financave, Ridvan Bode e quajti buxhetin e vitit të ardhshëm një dështim spektakolar të Qeverisë. Duke folur menjëherë pas Kryeministrit Rama, Bode i kujtoi kreut të Qeverisë se është Kryeministri i parë i Shqipërisë që ul buxhetin edhe pse ka rritur taksat.
“Kryeministri nuk tha se ky është buxhet i rekordeve. Ai përmendi rekordet e Qeverisë së tij. Unë do të përmend se ku janë rekordet. Rekordi i parë është se ky buxhet si një asnjëherë tjetër në këtu 25 vite për herë të parë programohet në rënie në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar dhe jo vetëm në vlerë reale, por edhe në sasi totale, duke qenë 400 milionë dollarë më i ulët se një vit më parë. Rritja ekonomike, në terma nominal në harkun e 3 viteve është diku te 11 përqind dhe të ardhurat në buxhet mungojnë; mungojnë 100 milionë nga taksat ekstra. Kryeministri nuk harroi se kemi një rritje prej 330 milionë, duke harruar rritjen e re të taksave, por nga ana tjetër u përtyp nëpër dhëmbë për të firmosur dështimin e mbledhjes së taksave gjatë vitit 2015. Edhe pse pati 160 milionë taksa shtesë, edhe pse deklaron një rritje prej 2.7 përqind. 110 milionë janë deri tani mangët vetëm në dy muajt e parë dhe do të jenë edhe më shumë në dy muajt e fundit, edhe 150 milionë dollarë të tjera. Vetëm gjatë këtij viti krijohet gropa prej 350 milionë dollarësh në buxhet”, u shpreh Bode.
Top Channel