Blushi: Qeveria ka pastruar Shqipërinë nga të varfërit; reagon Ahmetaj: Shih statistikat

04/12/2015 00:00

Deputeti Ben Blushi, në fjalën e tij në Parlament ka ironizuar nismën e qeverisë “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” dhe ka përdorur tone ashpra ndaj qeverisjes së dy viteve të fundit.

Blushi ka theksuar se, ndryshe nga sa pretendon, qeveria ua ka bërë edhe më të vështirë jetën shtresave të varfëra, të cilat kanë zgjedhur të emigrojnë.

“Për mënyrën se si duhet të pastrohet Shqipëria edhe unë kam mendimin tim dhe do ta them. Në dy vjet qeverisje ne kemi arritur ta pastrojmë Shqipërinë nga të varfërit. Po ua bëjmë jetën më të vështirë se ç’e kishin dhe se ç’e kishin menduar. A e ka më të lehtë jetën sot një i varfër? A e ka më të lirë ai koston e shëndetësisë dhe arsimit? A është kostoja e menaxhimit social për shtetin më e lirë? Në përgjithësi, gjendja e të varfërve po bëhet më e vështirë. Shumica jonë i ka tradhëtuar të varfërit. Kjo qeveri, më vjen keq kur e them, ka një problem shtesë: i shton koston të varfërit”, ka thënë Blushi.

Sipas Blushit, një qeveri që nuk vjen nga një nivel modest e ka të vështirë të përfaqësojë ata që janë në pozitë të vështirë. Ai është shprehur i vetëdijshëm për vështirësitë që mund të hasen në këtë rrugë, por drejtimi i duhur sipas tij është ende larg.

“Unë jam nga ata që mendojnë Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur, sepse shqiptarët po largohen. Nuk janë paratë që i mungojnë kësaj qeverie, asaj i mungojnë idetë dhe modestia që kanë më shumë vlerë se paraja. Shumica jonë nuk e njeh varfërinë e Shqipërisë. Qeveria nuk e njeh se çfarë është varfëria”, ka thënë Blushi.

Duke shtuar pyetjen se, çfarë ka ndryshuar për 2 vjet, ai ka dhënë këtë përgjigje: “E kam të vështirë të vërtetoj se situata ka ndryshuar. Kapitalizmi deri në vitin 2013 ishte kapitalizëm zoologjik, ku kafsha më e fortë fitonte më shumë. Bariu i fuste kafshët në konkurrencë dhe më i forti merrte pjesën më të madhe. Por puna është se çfarë kemi sot? A është ky kapitalizëm më pak represiv, më modern? Jo, nuk është. Kapitalizmi i sotëm është blegtoral. Një i diplomuar që fiton mbi 1 mln lekë taksohet 23 për qind, ndërsa ai që fiton 1 mln euro taksohet 15 për qind. Kjo nuk është taksë progresive”, ka thënë Blushi.

Ai u është përgjigjur edhe atyre që përmendin si zgjidhje zgjedhjet e parakohshme. “Vërtet mendoni se ky këtu mbrapa (Rama) që ka frikë të bëjë zgjedhje në parti ka kurajë të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Jo, nuk ka”, ka shtuar Blushi.

Ahmetaj-Blushit: Statistikat flasin ndryshe

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj i është përgjigjur kolegut Blushi lidhur me situatën ekonomike duke i bërë referim statistikave. Duke e cilësuar qëndrimin e kolegut socialist të denjë për një ekstremist të majtë ose romantik, Ahmetaj ka thënë se statistikat flasin për një situatë tjetër.

“Është e vështirë të bësh debat me një nga tanët. Është e thjeshtë me opozitën sepse ajo nuk pranon të njohë realitetin. Por kjo është e justifikueshme, ndërsa me një mik është e vështirë. Ajo që vura re në fjalën tënde, me pyetjet që janë legjitime, mund të them se ato i bën një i majtë ekstrem ose romantik. Por mes romanticizmit ekonomik dhe ekonomisë reale ka statistika dhe unë nuk dëgjova asnjë statistikë”, ka thënë Ahmetaj.

Top Channel