Biznesi, kritika paketës fiskale: Qeveria nuk u konsultua me ne

04/12/2015 15:40

Një grup shoqatash biznesi, nën krysinë e Dhomës së Tregtisë akuzuan qeverinë se hartoi paketën e taksave pa e konsultuar me sipërmarrjen. Nikolin Jaka tha se klima e biznesit nuk është përmirësuar, por vazhdon që sipas tij të mbetet e rënduar nga një sërë faktorësh.

“Më konkretisht, informaliteti, korrupsioni, taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal, ndryshimet e shpeshta ligjore dhe fiskale, mungesa e një vizioni të qartë zhvillimi ekonomik, klima e tensionuar politike, e cila përkthehet në frenim të investimeve të huaja direkte, mungesa për konsultim publik të legjislacionit që prek drejtpërdrejtë sipërmarrjen”, tha Jaka.

Pasi pretendon se biznesi u anashkalua në hartimin e paketës fiskale, Jaka lexoi publikisht propozimet e sipërmarrjes për qeverinë, që flasin për lehtësi për një sërë sektorësh.

“Sektori i bujqësisë, TVSH 8 përqind, tatim-fitimi 0 përqind, dividenti 10 përqind, sigurimet e punëdhënësit 10 përqind, TAP-i 10 përqind, taksa e pronës 10 përqind. Sektori i turizmit, TVSH 8 përqind, tatim-fitimi 10 përqind, dividenti 10 përqind, sigurimet 10 përqind, TAP-i 10 përqind”, propozon biznesi.

Veç bujqësisë dhe turizmit, Jaka kërkoi lehtësi edhe për industrinë e fasonit, si një nga punëdhënesit më të mëdhenj në vend, si dhe për sipërmarrjet familjare.  Sipas tij, të gjitha këto kanë kosto minimale për buxhetin.

“Nuk kërkojmë gjëra të pamundura dhe as gjëra që vënë në vështirësi politikën dhe qeverinë”, shtoi Jaka.

Në paketën e re fiskale qeveria ka parashikuar ndryshime në një sërë taksash, ku më të prekurit janë profesionet e lira, ndërkohë që lehtësohen të gjitha bizneset nën 8 milionë lekë xhiro vjetore.

Rritja e taksave, profesionet e lira: Qeveria po na falimenton

Veç shoqatave tradicionale të biznesit, paketa fiskale është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e profesioneve të lira. Sekretari i Dhomës së Avokatisë, Edmond Konini tha se vendimi i qeverisë, që rrit fort taksat për këtë grup biznesesh, është një akt falimentar.

“Na rezulton që shtesa bruto është rreth 35 mijë lekë në muaj, që duhet të paguajnë”, tha Edmond Konini, Dhoma e Avokatisë.

“Cila do të ishte pasoja? Shumëfishim i detyrimit, pavarësisht shpjegimit se për kë shkon ky detyrim, dhe rrjedhojë e sigurit falimenti i atyre profesionistëve, që ndërmarrin një nismë për të hapur e për të ushtruar një aktivitet privat”, tha Diana Toma, Urdhri i Farmacistëve.

Në paketën e re fiskale, qeveria ka vendosur që kontributet e profesioneve të lira të paguhen mbi pagën maksimale dhe në masën 23 për qind, çfarë rrit fort barrën për këtë kategori sipërmarrësish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA