Një emigrant nga Maroku ka humbur jetën në kufirin midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në fshatin Eidomeni, 100 kilometra në veriperëndim të Selanikut.

Sipas medieve greke bëhet fjalë për një 22-vjeçar, i cili është përpjekur të kalojë gardhin, që kanë ngritur organet maqedonase, por në këtë tentativë ka prekur kabllot e tensionit të lartë.

Sapo është mësuar vdekja e tij, emigrantët e tjerë kanë marrë trupin e pajetë dhe, duke hedhur parrulla, e kanë mbajtur në krahë derisa kanë mbërritur ambulancat. Më pas, në shoqërimin e forcave policore, trupi i të vdekurit është çuar në spitalin më të afërt.

Tensioni në këtë pikë kufitare është rritur ndjeshëm, që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur 2500 emigrantë nga Irani, Algjeria, Pakistani, Bangladeshi dhe Maroku nuk kanë lejuar rreth 3500 refugjatë të tjerë nga Siria, Afganistani dhe Iraku të kalojnë kufirin, duke kërkuar që të lejohen edhe ata të shkojnë drejt vendeve të Europës Qendrore.

Në këtë përpjekje, ata kanë qëlluar me gurë refugjatët e tjerë, si dhe forcat policore maqedonase, të cilat janë përpjekur të qetësojnë situatën, që është rënduar prej vendimit të shteteve të BE-së për seleksionimin në emigrantë ekonomikë, të cilëve iu ndalohet dhënia e azilit politik në Europë, dhe në refugjatë nga zonat e luftës së Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Irritimi i tyre është përshkallëzuar edhe më tepër, kur është mësuar se qeveria greke ka sjellë një tren me disa vagonë dhe 4 autobusë, për t’i çuar emigrantët “ekonomikë” në Athinë, në kampet e pritjes.

Por, deri më tani asnjë prej tyre nuk dëshiron të kthehet përsëri në vendlindje, ndaj dhe organet greke kanë deklaruar se japin 3 ditë afat për të marrë trenin apo autobusët, duke lënë të nënkuptohet se pas këtij afati do t’i detyrojnë me forcë t’i largojnë nga kjo pikë kufitare.

Top Channel