Një incident i armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Gërçec në afërsi të Shkupit, në të cilin dy persona kanë humbur jetën ndërsa një i tretë ka marr plagë të rënda.
Siç informon policia maqedonase, rreth orës 23:00, persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të makinës tip “Mercedes” me targa të Shkupit, në të cilën kanë qenë duke udhëtuar viktimat dhe personi i plagosur, që aktualisht po kurohet në qendrën klinike të Shkupit.
“Prokurori publik menjëherë pas incidentit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekspertizën e duhur. Autorët që kanë kryer këtë vepër janë në arrati dhe policia është në kërkim të tyre”, ka deklaruar për mediat një zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Njëri prej viktimave është Nebush Nuhishi, afarist i njohur në Shkup, i cili veprimtarinë e tij e ka mbështetur në tregtinë me mish dhe që njihet edhe si organizator i garave tradicionale në mundje të lirë. Ndërkaq, identiteti i dy personave tjerë në këtë incidentet ende është i panjohur.
Top Channel