Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, që mori pjesë në samitin e OSBE-së në Beograd, ka reaguar pas fjalimit të homologut rus, Sergei Lavrov, i cili tha se krizat në botë kanë filluar duke marrë si shembull Kosovën.
Në një intervistë për Top Channel, Bushati tha se në rastin e Kosovës është treguar shumë herë se bashkësia ndërkombëtare kishte të drejtë.
“Ky është një qëndrim i njohur i Rusisë. Për fat të keq është si të krahasosh mollën me portokallin nëse do të krahasosh Kosovën me aneksimin e paligjshëm të Krimesë. Kosova është një realitet i pakthyeshëm. Është një realitet që mbështetet në të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Bushati.
Ai tha se megjithë kundërshtimet në qëndrime që kishte në samit, duket qartë se një reagim i përbashkët është i rëndësishëm.
“Edhe brenda OSBE-së paneli që është krijuar gjatë vitit të kaluar ka sjellë disa propozime ku fokusi kryesor i organizatës në periudhën në vijim do të jetë siguria në kuptimin strikt të fjalës edhe në kushtet kur OSBE ka disa organizma të butë që mund t’i vërë në zbatim dhe mund të mos kundërshtohen nga shtetet pjesëmarrëse që kanë qëndrime të ndryshme për të drejtën dhe rendin ndërkombëtarë në përgjithësi”, thotë Bushati.
Bushati ka pasur disa takime bilaterale gjatë qëndrimin në kryeqytetin serb edhe me homologë nga vendet e tjera.
Top Channel