Ruçi: Të respektojmë rregulloren; Paloka: Të ndëshkohet Balla

03/12/2015 21:45

Seanca parlamentare ka rifilluar me fjalën e kreut të Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, i cili fajësoi shkeljet e vazhdueshme të rregullores dhe tolerimet ndaj Sali Berishës si shkaku i gjithë situatës së krijuar në Kuvend gjatë fjalës së Taulant Ballës.

“Është faji ynë që në çdo seancë opozita flet 3 herë më shumë se maxhoranca”, tha Ruçi duke kërkuar që në seancat në vazhdim të respektohet rigorozisht rregullorja.

Megjithatë, sërish Berisha ka marrë fjalën, duke u shprehur se nuk e ka abuzuar asnjëherë me kohën.

“Zbatimi i rregullores ka qenë një kërkesë e imja.  Unë asnjëherë nuk kam akuzuar kurrë njeri pa fakte flagrante”, tha Berisha.

Më pas fjalën e mori deputeti i PS, Taulant Balla, i cili reagoi pas akuzave të ngritura më herët nga ish-kryeministri Berisha.

“Ti (referuar Berishës) i jep vetes një të drejtë që t’i fyesh të tjerët një për një. E fillove seancën me një njeri të larguar nga jeta, me babain e kryeministrit. Kush ta jep ty të drejtën të përdhosësh të vdekurit? I more ministrat me radhë, shoqja e bankës u ngrit dhe i tha deputetit bastard. U çove sërish ti dhe ju drejtove ministrit të Brendshëm me fyerje dhe shpifje pa fund. Por ti nuk je as më shumë dhe as më pak sesa një deputet si të gjithë ne. Vërtet mund të jesh lideri historik në krahun tjetër, por kjo s’të jep të drejtën të dalësh mbi ne. S’ke për të ardhur më kurrë në qeverisjen e këtij vendi sa të jemi ne. Sa i përket CEZ-it, nëse doni hetim ndërkombëtar pranoni të hetojmë nga fillimi, pranoni hetim ndërkombëtar për vrasjen e qytetarëve në bulevard dhe sesi e shitët ju detin kundrejt Greqisë. Skenarin që bëtë pak minuta më parë me mua, e kishit në plan ta bënit me kryeministrin. Do të sulmonit foltoren sepse ju rezulton që nuk i keni të motivuara degët e partisë për të ardhur në protestën e 8 dhjetorit. Protesta bëni sa të doni, para 4 muajsh populli shqiptar ua shkuli edhe veshin tjetër, pas shkuljes së veshit të parë në 2013-n. Nuk kam ç’të bëj unë se keni mbetur pa veshë”, tha Taulant Balla.

Ndërsa më herë, Paloka kërkoi marrjen e masave për përjashtimin e deputetit Balla, pas debateve që ky i fundit pati me Berishën.

“Unë ju bëra një kërkesë. Mblidhni byronë dhe përjashtoni zotërinë që del këtu në foltore me urdhër të kryeministrit që nuk ka guxim, apo nuk do të bie në nivelin e fyerjeve, dhe merr atë zotërinë e nxjerr këtu vetëm për fyerje dhe sharje”, vijoi më tej kërkesën e tij Edi Paloka.

“Rregullorja për byronë e Parlamentit thotë që bëhet kërkesë me shkrim nga të paktën 7 deputetë për përjashtimin e dikujt. Merreni e lexojeni, së pari. Kjo rregullore nuk detyron që të ndërpritet seanca dhe të mblidhet byroja. Përkundrazi, seanca vazhdon dhe byroja mblidhet pas 48 orësh. Në qoftë se doni të shkatërroni seancën e Parlamentit, kjo është puna juaj, vazhdojeni po të doni”, replikoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.

Top Channel