Manuel Valls, kryeministër i Francës ka pritur në një vizitë zyrtare në selinë e qeverisë në Paris homologun Edi Rama.
Zyra e shtypit në kryeministrinë shqiptare njofton se takimi ka zgjatur mbi një orë, ku janë evidentuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve.
Të dy kryeministrat thuhet në njoftim shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët të dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të në ardhmen, me fokus në fushën e shërbimeve inteligjente, drejtësisë dhe policisë.
Gjata takimit kryeministri Rama i shprehu Kryeministrit francez solidaritetin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në luftën e përbashkët të vendeve kundër terrorizmit, kërcënimit më serioz të vlerave njerëzore në mbarë botën.
Kryeministri francez Valls citohet në njoftimin e kryeministrisë shqiptare se vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si një qasje shumë pozitive për hapjen e negociatave, dhe insistoi për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Një tjetër temë e diskutuar ishte edhe kultura ku një interes të veçantë për palën mikëpritëse paraqitën nismat shqiptare në fushën e shkëmbimeve rinore, ku Shqipëria me traditën e saj të bashkëjetesës në paqe mes besimeve fetare, është një shembull frymëzues për një rini pa komplekse ndaj kulturave fetare dhe respekt ndaj besimeve të tjera.
“Ndërkohë Franca mirëpret Konferencën e Parisit 2016, ku kërkon që Shqipëria të luajë një rol kyç” thuhet në njoftim.
Pas takimit në kryeministrinë franceze kryeministri Rama dhe homologu francez Valls zhvilluan një takim kokë më kokë, në kopshtet e Matinjon.
Top Channel