Mediat maqedonase raportojnë se pas tensioneve të së mërkurës, të enjten në mëngjes ka pasur përleshje masive mes emigrantëve të ngujuar në kufirin jugor të Maqedonisë.

Raportohet se më shumë se 3 000 emigrantë janë të bllokuar në një kamp të improvizuar në Idomeni të Greqisë. Disa përfaqësues të UNHCR-së dhe të OJQ-ve të mërkurën në mesnatë e kanë braktisur kampin për arsye sigurie, sepse ata të cilët nuk e kanë kaluar kufirin kërcënojnë ata të cilët e kanë kaluar kufirin.

Policia maqedonase ka përdorur gaz lotsjellës për t’i kthyer mbrapsht protestuesit nga Pakistani, Maroku dhe Irani. 

Edhe pse në kufirin greko-maqedonas ditëve të fundit ka pasur shumë skena dramatike, ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski pohon se situata është nën kontroll dhe e qëndrueshme.
 
“Situata në kufi është nën kontroll dhe e qëndrueshme. Policia po vepron në mënyrë shumë profesionale. Ne kemi mirëkuptim për gjendjen e vështirë të këtyre njerëzve. Shumica nuk janë këtu sepse duan, por për shkak se kanë qenë të detyruar. Ata kanë bërë një rrugë të gjatë, shpesh janë keqtrajtuar, ka shumë që udhëtojnë me fëmijë të vegjël. Kjo bën që ndonjëherë ata të zemërohen. Por e gjitha kjo nuk u jep megjithatë të drejtë për të sulmuar dhe plagosur forcat e sigurisë që bëjnë vetëm punën e tyre”, ka thënë për mediat Spasovksi.

Top Channel