Kuvendi mbyll punimet, projektligjet votohen sot

03/12/2015 00:00

Rreth orës 02:10 të së premtes ka përfunduar edhe seanca maratonë e Parlamentit shqiptar. Drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj ka njoftuar se të gjitha projektligjet e rendit të ditës do të votohen pas disa orësh.

“Seanca mbyllet, votimi për pikat e rendit të ditës do të bëhen në orën 10”, ka thënë Leskaj në përfundim.

Kuvendi do të zhvillojë punime edhe sot (e premte) në një seancë të veçantë për buxhetin e vitit 2016. Ashtu sikurse dje (e enjte) edhe sot priten debate të ashpra dhe një seancë maratonë.

Diskutimi për pronat, Peleshi: Kompensim i barabartë për të gjithë

Diskutimet për hetimin ndërkombëtar të CEZ-it janë pasur nga ato për projektligjin për trajtimin e pronës. Zv.kryeministri Niko Peleshi garantoi se do të bëhet kompensimi i barabartë për të gjithë pronarët.

Duke deklaruar se pronarët janë mashtruar ndër vite, deklaroi se qeveria ka një fond prej 50 milionë lekësh për kompensim, duke shtuar këtu edhe 123 milionë lekë që do të përdoren për dixhitalizimin e pronave.

Ndërkohë, deputeti i PS-së, Ben Blushi mori fjalën për të thënë se çështja e pronës i ka kushtuar “3 mijë jetë” shqiptarëve dhe duke përsëritur faktin se prona është një e drejtë universale.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani pranoi se projektligji i ri mund të hapë debate të natyrës kushtetuese, por sipas tij, kompenisimi fizik shikohet me përparësi. Ai ka shtuar se me ligjin e ri ky problem futet në shinat e zgjidhjes.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike ka qenë shumë kritik në diskutimet për pronën, duke thënë se “padrejtësia e shpronësimit po përsëritet pas 71 vitesh”.

“Kastriot Ismailaj” përplas Pollon me Gjiknurin

Emri i Kastriot Ismailajt është rikthyer në diskursin politik mes maxhorancës dhe opozitës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo akuzoi ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri për përfshirje në aferën CEZ, duke propozuar për kryetar të ERE-s një person të lidhur me Ismailajn.

Ministri Gjiknuri reagoi duke deklaruar se çështja është nën hetim. Ai akuzoi Genc Pollon për “plane biznesi” me Ismailajn dhe e sfidoi atë që të dëshmojnë bashkë më prokurori.

“Kastriot ismailaj është në burg dhe për këtë po hetohet dhe hetimi është i thellë dhe unë i kërkoj prokurorisë që të thërrasë edhe ty si dëshmitar pasi kam përshtypjen që ke një njohje të mirë me Kastriot Ismailjan. Le të shkojmë në prokurori dhe të shpjegojmë se çfarë lidhjeje kemi unë dhe ti me Kastriot Ismailajn”, tha Gjiknuri.
 
Pollo u përgjigj duke deklaruar se Kastriot Ismailajn e njihte si fqinj.

Berisha: Gjithçka që bijtë të pësojnë fatin e etërve

Gjatë diskutimeve për projektligjin e propozuar nga grupi i deputetëve demokratë për hetimin ndërkombëtar të CEZ-it, ish-kryeministri Sali Berisha ceku edhe dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi.

Ai akuzoi maxhorancën se po harton një reformë në drejtësi krejtësisht klienteliste për të rehabilituar, sipas tij, njerëz të drejtësisë të lidhur me qeverinë dhe me Partinë Socialiste.

“Ne jemi dhe do ta provojmë këtë, për një reformë në drejtësi, por jo reformë ku rehabilitohet miku i Fatmirit se po i mbaron mandati apo Dvoran militanti”, tha Berisha.

Ish-kryeministri mbylli fjalën e tij duke deklaruar se do të bënte gjithçka “që atë që pësuan etërit ta pësojnë edhe bijtë”, duke iu referuar këtu dënimeve të dhëna nga drejtësia gjatë periudhës që Berisha ishte president, për ish-funksionarë të regjimit komunist.

Halimi: PS nuk do hetimin e CEZ-it; Xhafaj: Projektligji shkel Kushtetutën

Pas një pushimi të shkurtër, seanca plenare e Kuvendit këtë të enjte nisi me diskutimet mbi projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike për hetimin ndërkombëtar të CEZ, projektligj që u rrëzua më herët nga maxhoranca në Komisionin e Ligjeve.

Maxhoranca rrëzoi propozimin e demokratëve për hetim ndërkombëtar duke dhënë pesë argumente, që sipas deputetit Eduart Halimi nuk qëndrojnë.

Ne kemi kërkuar një hetues apo trupe hetuesisht ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Europian dhe nëse nga hetimi nuk rezulton vepër penale, atëherë çështja mbyllet këtu. Trupa ndërkombëtare do të hetojë, mbledhë prova dhe t’i administrojë ato, por për kërkimin e masës së sigurisë dhe procedura të tjera duhet të koordinohet me Prokurorin e Përgjithshëm”, deklaroi Halimi.

Deputeti demokrat u ndal më tej tek argumentet e dhëna nga maxhoranca në Komisionin e Ligjeve për rrëzimin e këtij projektligji.

“Partia Socialiste e rrëzoi këtë projektligj për pesë arsye. 1- do që të bëjë një hetim të kësaj afere, por gjoja nuk e lejonte Kushtetuta dhe ne donte që të shkelej Kushtetuta. Ky pretendim është fals. Projektligji nuk shkel Kushtetutën sepse ndjekjen penale do ta bëjnë autoritetet shqiptare, prokurorët e huaj do të bëjnë vetëm hetim. Nëse ka vepër penale ngrijta dhe gjykimi do të bëhet sipas Kushtetutës, prokurorët e huaj duhet të zbatojnë një për një nenet dhe ligjet shqiptare dhe çdo veprim procedurial do të merret nga shqiptarët. E dyta, sipas PS, është se duan ta hetojnë kreun e PS por kanë merakun e sovranitetit shqiptar. Edhe ky pretendim është fals sepse nuk ka lidhje në prekjen e asnjë sovraniteti. E treta, sipas PS, nuk e votojnë sepse bllokohen hetimet e nisura dhe se ne, Partia Demokratike e bëjmë këtë për të bllokuar hetimet ndaj Ramës dhe Metës dhe nuk duam që ata të hetohen. Ky argument bie dhe është naiv. Të thuash që PD nuk do që të hetohet Meta dhe Rama, është qesharake. E katërta, PS thotë se nuk janë hetuar nga ndërkombëtarët çështje të tjera që janë aferë dhe as këtë nuk do ta hetojnë. PS është shumicë, të miratojë një ligj dhe të hetojë çdo aferë që të dojë. E pesta, PS thotë se nuk e voton sepse reforma do të hetojë edhe CEZ-in dhe se zbardhjen e kësaj çështjeje do ta bëjnë sapo të miratojmë reformën në drejtësi. As kjo nuk qëndron dhe është qesharake”, deklaroi Halimi.

Menjëherë pas Halimit, fjalën e mori për replikë kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ai tha se projektligji i propozuar nga opozita bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës.

“Projektligji bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës, ku parashikohet që në Shqipëri, Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që duhet dhe që mund të ushtrojë hetimin dhe të përfaqësojë akuzën në gjyq. Parashikohet se Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon kompetenca për çështje të caktuara, por vetëm tek organizata ndërkombëtare dhe në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, reagoi Xhafaj.

Cani: Berisha injorant, nuk bëri asgjë për mld eurot që ikin jashtë

Në seancën e kësaj të enjteje, ku deputetët po diskutojnë projekt/buxhetin 2016, kryeministri Sali Berisha deklaroi se 2.8 miliardë euro dalin nga sistemi bankar shqiptar jashtë kufijve të vendit.

Ish-kryeministri fajësoi për këtë politikat e qeverisë aktuale. Por ministri i Financave, Shkëlqim Cani akuzoi ish-kryeministrin për këtë situatë.

“Ish-kryeministri, që fatkeqësisht për mua dhe për injorancën e vet, përsërit gjithmonë një melodi se 2.8 mld euro na dilkan nga sistemi bankar jashtë. Është fatkeqësi që ka qenë kryeministër dhe nuk ka bërë asgjë. Sistemi bankar shqiptar nxjerr jashtë Shqipërisë miliarda euro çdo vit dhe kjo është Shqipëria. Kjo injorancë na ka shkaktuar dëm sipas tij”, tha Cani.

Ministri u ndal edhe tek akuzat e opozitës kundër operacionit për formalizimin e ekonomisë. Ai i quajti këto akuza si të pakuptimta.

“Kemi detyrim si Parlament për të mbrojtur dhe të ndershmin. Nuk ju duket shqetësuese që 50 përqind e ekonomisë është informale? Nuk kemi shtuar asnjë presje tek kjo në ligj, burg ka qenë, burg është. S’e kuptoj pse jemi kundër për një gjë që aty është edhe aty ka qenë?! Ajo që ne  po bëjmë është se po ashpërsojmë denimët për punnjësit e tatimeve dhe doganavce për të luftuar kontrabandën”, deklaroi Cani.

Replika dhe batuta mes Topallit dhe Ballës

Debate të ashpra dhe batuta janë zhvilluar mes ish kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputetit socialist Taulant Balla. Debati është përqëndruar rreth komunizmit, dhe medaljeve të mirënjohjes që janë dhënë nga qeveria.

Balla: Janë dy personazhe në këtë Kuvend që ngjajnë copy paste me dy personazhe filmash. Kjo që sapo foli ngjan copy-paste me brigadieren tek filmi “Parrullat” dhe ai që iku para pak është njëlloj personazhi i sekretarit të partisë tek filmi “Vdekja e Kalit”. Njëlloj të dy. Ngjajnë, hallall ia bëftë dora atij që ka shkruar skenaret e atyre dy filmave se të paktën na kanë ngurtësuar në histori këta dy personazhe partiakë. U çove në mëngjes dhe u ankove pse kryeministri është në Francë. U çove ti me kolegët e tu. Thatë që pse nuk është kryeministri. Kryeministri ka përfunduar një vizitë shumë të suksesshme zyrtare në Francë, me ftesë të kryeministrit francez. Koha që drejtuesit e Parlamentit shkonin në Francë për të vizituar fëmijët që kishin në Francë ka mbaruar.

Topalli: Vetëm t’i flet nga PS se asnjëri nuk ka kurajo t’i dalë zot krimit. I njohur si shpifës me pagesë. E di pse je rritur ti me karrierë? Ti karrierën e ke filluar duke i çuar kafe Agim Isakut, as Fatos Nanos nuk i hyje dot në zyrë. E ke ngjit karrierën vetëm se shpif pa masë. Mendimet e mia i them aty ku jam. Stë lë ty të shpifës as për kryetarin e partisë. Ka vendim të gjykatës sës Strasburgut.

Balla: Unë kam lindur në ‘77 zonjë, dhe nuk kam pasur mundësi që të kem qënë as anëtar partie. Sa për prindërit e mi, njëri mësues, tjetra infermiere njerëz të ndershëm. Ti ke një problem sepse ty komunizmi të ka lënë me pasoja. Ti zonjë thonë që ke pasur pseudonimin “Dizenjatorja”. Ke instituti mistrit kafet i bëje ti. Unë nuk kam bërë karrierë me kafe, ti shiko se ke një arsye të madhe pse ke bërë karrierë ti. Nuk po ta them sot. Po ta kursej kësaj radhe.

Topalli: Nxirr jashtë Parlamentit të gjithë ata që shpifin pa u ndalë. Tani ti djalë ke 10 vite që shpif. Mbylle gojën, dëgjo! Ke 10 vite që çohesh dhe përpiqesh dhe mendon se më godet mua aty ku është pika ime më e fortë. Unë nuk e di çfarë do kisha bërë sikur të më kishin torturuar. Qesh more qesh se kjo është dita jote, janë kohë të marra.

“Bankers”, Ahmetaj: Të përputhë detyrimet në bazë të ligjit

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, referuar kompanisë Bankers, tha në Parlament se ka kompani që duhet të përputhë detyrimet e veta në bazë të ligjit. Ligji nuk ka ndryshuar tha Ahmetaj, por trajtimi është më i përgjegjshëm.

“Patjetër që ka çështje të debatueshme në klimën e biznesit. Do të kërkoja atij që iku të lexojë dokumentin, raportin e KLSH për Bankers, ta lexojë dhe të na vijë këtu sepse për CEZ e solli. Ta sjellë dhe për Bankers, dhe nëse do kishte bërë të kundërtën do vinte e do thoshte ‘Këta e shkatërrojnë Shqipërinë’. Nuk ka kompani që vjedh apo nuk vjedh, ka kompani që duhet të përputhë detyrimet e veta në bazë të ligjit. Ka procedura ligjore që i gjykojmë. Ligji nuk ka ndryshuar fare. Bie dakord me logjikën që strukturat fiskale nuk kanë ndryshuar. Gjykimi është i njëjtë, trajtimi është i ndryshëm, është më i përgjegjshëm”, tha Ahmetaj në Kuvend.

Braçe: Berisha, i vetmi që urren shqiptarët

Në përgjigje të ish kryeministrit Sali Berisha, kreu i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe tha se në legjislacionin e sotëm është e dënueshme me burg vepra penale e kontrabandës, duke e akuzuar ish kryeministrin “se është i vetmi që urren shqiptarët”.

“I vetmi që urren shqiptarët. Tre gjëra nuk thoni ju, e para, që në këtë projektligj bëhet fjalë për shkelje të rënda fiskale. Që në asnjë rast nuk bëhet fjalë për biznesin e ligjshëm e të ndershëm dhe ata sipërmarrës që në mënyrë të ligjshme paguajnë taksa prej 25 vitesh në këtë vend. Dhe së treti, që dënimi me burg për shkelje të rënda fiskale gjendet i vendosur nga ju në ligjin aktual. Këtë duhet t’u thoni shqiptarëve”, tha Braçe.

Ai tha se edhe legjislacioni i vendeve të huaja, duke përmendur edhe Gjermaninë, të dënojnë për kuponin tatimor deri në pesë vite burg. Ndërsa ju tha Braçe, i bëni thirrje biznesit të largohet nga vendi.

Berisha: Të ndëpriten ndërhyrjet e Tiranës në problemet e Kosovës

Duke i quajtur ndërhyrje të Tiranës zyrtare në problemet e Kosovës, ish kryeministri Sali Berisha deklaroi në Kuvend, se kërkon ndërprerje të menjëhershme të tyre. Mesazhet e njëanshme janë të dënueshme, tha Berisha.

“Këto ditët e fundit në afilacion partiak të padenjë, janë manipuluar sulme dhe insinuata ndaj autoriteteve të Kosovës. Kërkoj ndërprerjen e tyre të menjëhershme. Cilido të jetë në pushtet në Kosovë, ne në vlerësimin tim më të madh jemi të detyruar të bashkëpunojmë pa asnjë dallim partiak me ta. Ky është interesi me ccdo fqinj, pa lëre pastaj me Kosovën. Mesazhet e njëanshme janë absolutisht të dënueshme. Autoritetet e Kosovës, asnjë prej tyre nuk dëshiron situatën e krijuar në vend, ato kanë firmosur marrëveshje. Opozita i ka kundërshtuar dhe nuk mban anën e asnjë pale. Autoritetet e Kosovës i kanë ccuar në Gjykatën Kushtetuese. Kanë kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar për vijën e demarkacionit. Nëse duam tu japim mend është shumë lehtë t’i anatemosh, po bën një gabim shumë të rëndë”, tha Berisha.

Ligji i dekriminalizimit nuk ka vend kur dekorohen ata që kanë kryer genocid në kohën e komunizmit, tha më tej ish- kryeministri. “Rama dekoroi xhelatët e genocidit”, tha Berisha.

“Dekorimi i atyre që kanë kryer genocid është shkelja më e rëndë që i bëhet konventave ndërkombëtare. Duhet ta dini se në listën e të dekoruarve është Ledi Makbeth e shqiptarëve që kur i shoqi nuk merrte vendime, merrte vendime në emër të tij, më të zezat shqiptare. Po ky ktheu formën më të shëmtuar të krimit. Ky kryetar mazhorance riktheu në Shqipëri formën më të egër të krimit, duke dekoruar personat që kanë kryer genocid. Shqipëria ishte vendi i parë që miratoi ligjin e genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Ai ligj është kaluar. Ai ligj nuk ndryshohet më, as mund të anullohet më kurrë. Genocidi nuk parashkruhet kurrë”, tha Berisha.

Majko: Po godasim kontrabandën, jo biznesin

Deputeti socialist, Pandeli Majko tha se qeveria, me ndryshimet në Kodin Penal, po godet kontrabandistët dhe jo biznesin e vogël.

“Ne po godasim kontrabandën, ju po na thoni po godisni qytetarin. Po kriminalizohet kontrabanda me ndryshimet në Kodin Penal. Varianti i ardhur nga qeveria kishte të bënte edhe për dënimin me burg për lëshimin e kuponit. Tani që flasim, neni është ndryshuar, që bën që moslëshimi i kuponit të dënohet me dënimin minimal të mundshëm. Ajo që duhet të qartësohet është që kolegët tanë në Komisionin e Ligjeve ishin dakord me këto ndryshime”, tha Majko.

Deputeti i mazhorancës u bëri thirrje deputetëve që të flasin “secili mbi një nen të caktuar”” dhe jo në përgjithësi: “Të diskutojmë me këmbë në tokë. Nuk duhet të merremi me diskutime të përgjithshme”.

PD, Shehu: Qeveria të mbështesë biznesin, jo ta fusë në burg

Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, tha në fjalën e tij në seancë plenare se burgu nuk e ndihmon biznesin, por krijon frikë dhe atë që në ekonomi njihet si “defekt negativ”.

“Burgu nuk funksionon në biznes. Fjala burg krijon frikë dhe kjo në ekonomi njihet si defekt negativ. Biznesmenët thonë se ekonomia 50% është ndjesi dhe ndjesia është shkatërruar këtu te ne. Qeveria, në vend që të reflektojë, rrit taksat. Ndërkohë, rritet edhe evazioni fiskal e korrupsioni, duke bërë që të largohen investitorët. Kontrabandën dhe evazionin e bëjnë të mëdhenjtë, por qeveria po i merr frymën biznesit të vogël. Kryeministri i heq taksën të vegjëlve, por po të mos kesh kasë, shkon në burg. Thotë që do ju heq taksën, por i rrit taksën e shërbimeve publike dhe tatimet mbi qira. Thotë taksë 0, por bizneseve po u nxihet jeta nga inspektorët që vënë gjoba”, tha Shehu.

Sipas tij, “vetëm në Shqipëri ndodh që vështrësia financiare të paguhet me burg”.

“Nëse nuk lëshon kupon tatimor për një kafe që kushton 50 lekë, merr 5 milionë lekë (të vjetra) gjobë dhe nëse e përsërit, 3 vjet burg. Në vend të burgut, biznesi pret mbështetje nga qeveria dhe jo gjoba e burgosje. Biznesi shet veresie dhe ne i themi pse nuk lëshon kupon tatimor”, shtoi Sherefedin Shehu.

PD kërkon praninë e Ramës në Parlament

Seanca parlamentare e kësaj të enjteje ka nisur me kërkesën e Partisë Demokratike për praninë në seancë të kryeminstrit Edi Rama.

“Ka gati dy muaj që kryeministri i Shqipërisë nuk është në sallën e Kuvendit, po bëhen gati dy muaj që Rama mungon në vendin e tij. Çdo të enjte na thuhet sot po takohet me filanin e sot me filanin. Ne jemi deputetë të Kuvendit dhe përfaqësojmë interesat e qytetarëve shqiptarë. I pari që duhet të jetë këtu për t’u përgjiugjur për shklejen e interesave është Edi Rama. Ne nuk kemi zgjedhur një piktor shëtitës, ai duhet të vijë këtu, në këtë parlament, sepse ky është detyrimi parësor i tij”, u shpreh Paloka, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi tha se nëse opozita ka nevojë për kryeministrin, të depozitojë një kërkesë për interpelancë. “Kryeministri ka axhendën e tij dhe është në shërbim të vendit”.

Kryeministri Rama po zhvillon sot një vizitë në Paris, me ftesë të kryeministrit francez Manuel Valls. Rama u takua në orën 09.30 me homologun e tij në selinë e qeverisë franceze. Temat që u diskutuan ishin lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të nxitur integrimin europian të vendit tonë.

Gjithashu, Partia Demokratike kundërshtoi futjen në rendin e ditës të projektligjit për lojërat e fatit, pasi sipas tyre duhet të kalojë një periudhë kohore para se të futet në seancë.

Top Channel