Kosova, Berisha: Tirana të ndërpresë ndërhyrjet

03/12/2015 16:45

Duke i quajtur ndërhyrje të Tiranës zyrtare në problemet e Kosovës, ish kryeministri Sali Berisha deklaroi në Kuvend, se kërkon ndërprerje të menjëhershme të tyre. Mesazhet e njëanshme janë të dënueshme, tha Berisha.

“Këto ditët e fundit në afilacion partiak të padenjë, janë manipuluar sulme dhe insinuata ndaj autoriteteve të Kosovës. Kërkoj ndërprerjen e tyre të menjëhershme. Cilido të jetë në pushtet në Kosovë, ne në vlerësimin tim më të madh jemi të detyruar të bashkëpunojmë pa asnjë dallim partiak me ta. Ky është interesi me ccdo fqinj, pa lëre pastaj me Kosovën. Mesazhet e njëanshme janë absolutisht të dënueshme. Autoritetet e Kosovës, asnjë prej tyre nuk dëshiron situatën e krijuar në vend, ato kanë firmosur marrëveshje. Opozita i ka kundërshtuar dhe nuk mban anën e asnjë pale. Autoritetet e Kosovës i kanë ccuar në Gjykatën Kushtetuese. Kanë kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar për vijën e demarkacionit. Nëse duam tu japim mend është shumë lehtë t’i anatemosh, po bën një gabim shumë të rëndë”, tha Berisha.

Ligji i dekriminalizimit nuk ka vend kur dekorohen ata që kanë kryer genocid në kohën e komunizmit, tha më tej ish- kryeministri. “Rama dekoroi xhelatët e genocidit”, tha Berisha.

“Dekorimi i atyre që kanë kryer genocid është shkelja më e rëndë që i bëhet konventave ndërkombëtare. Duhet ta dini se në listën e të dekoruarve është Ledi Makbeth e shqiptarëve që kur i shoqi nuk merrte vendime, merrte vendime në emër të tij, më të zezat shqiptare. Po ky ktheu formën më të shëmtuar të krimit. Ky kryetar mazhorance riktheu në Shqipëri formën më të egër të krimit, duke dekoruar personat që kanë kryer genocid. Shqipëria ishte vendi i parë që miratoi ligjin e genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Ai ligj është kaluar. Ai ligj nuk ndryshohet më, as mund të anullohet më kurrë. Genocidi nuk parashkruhet kurrë”, tha Berisha.

Top Channel