Hetimi ndërkombëtar për CEZ, Basha: Sprovë për Ramën dhe Metën

03/12/2015 10:10

Duke e krahasuar për nga rëndësia me reformën në drejtësi, Lulzim Basha ka kërkuar nga Kuvendi që të miratojë në seancën e sotme hetimin ndërkombëtar për CEZ- DIA, kërkesë kjo e PD-së.

“Nëse hetimi ndërkombëtar rrëzohet dhe sot në seancë, Ilir Metës i duhet të gëlltisë betimin e tij solemn se do të votojë pro këtij projektligji. Edi Rama duhet të vjellë mashtrimin e tij publik për angazhimin e qeverisë për ekspertë të huaj në hetimn e aferrës. Të dy duhe të lëpijnë atje ku kanë pështyrë. Reforma në drejtësi, ka rëndësinë e saj, por një akt i madh ligjor siç është votimi sot për hetimin ndërkombëtar të CEZ ka vlerë të barabartë politike me këtë reformë”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PD-së.

Projekti ynë është një hetim gjithëpërfshirës tha Basha. “Më 8 dhjetor të rrëzojmë qeverinë”, tha ai para deputetëve.

“Më 8 dhjetor në përkujtim të ditës së parë së protestës historike të sutdentëve ne kemi thirrur një marshim të madh proteste në Tiranë kundër qeverisë Rama- Meta. Mënyra më e mirë për të nderuar një ngjarje si simbol i përballjes me të keqen është të zbresim në rrugë dhe sheshet e protestës. Nuk ka asnjë shenjë dhe asnjë shpresë se situata mund të përmirësohet për shqiptarët. Ne mblidhemi më 8 dhjetor jo thjesht për të protestuar, po për zgjidhje. Zgjidhje që përqafohet e kthehet në thirrje, zgjidhje që është largimi i kësaj qeverie të inkriminuar. Zgjidhja është krijimi i një qeverie teknike, që do të përgatisë reformën zgjedhore, dekretojë ligjin e dekriminalizimit dhe do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme. Se kush do të vijë ta vendosë populli me votë. Më tetë dhjetor fillojmë përballjen popullore pa kthim për këtë zgjidhje. PD do ti prijë kësaj përballje”, tha Basha.

Top Channel