Për të dytën herë brenda 20 ditëve Greqia paralizohet nga një grevë e re e përgjitshme 24-orëshe, e dyta kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Tsipras që kur ai ka ardhur në pushtet, në janar të këtij viti.
Greva është organizuar nga Konfederata e Sektorit Publik ADEDY dhe atij privat GSEE, që kundërshtojnë projektligjin e ri të sigurimeve sociale që pritet të miratohet gjatë këtij muaji.
Në mitingjet e organizuara në vende të ndryshme të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të mëdha të vendit, mijëra pjesëmarrës ngrejnë zërin dhe protestojnë për reduktimin e mëtejshëm të pensioneve që pritet të sjellë ky ligj i imponuar edhe nga kreditorët e Greqisë për të kursyer nga subvencionet shtetërore më shumë se 1.8 miliardë euro.
Prej orës gjashtë të mëngjesit janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore: ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzeumet, shkollat, farmacitë dhe bankat.
Spitalet funksionojnë me stafin e emergjencës, transporti publik ka ndërprerje shumëorëshe, anijet janë të ankoruara në porte, ndërsa edhe shumë fluturime të brendshme janë anuluar. Gazetarët kanë kryer grevën e tyre një ditë më parë, në mënyrë që të mbulojnë zhvillimet gjatë grevës, ndërsa në grevë marrin pjesë edhe juristët që kundërshtojnë reformat e reja për pensionet.
Projektligji për sigurimet shoqërore dhe skemat e pensioneve është i dyti i radhës që duhet të votojë parlamenti grek për të marrë këstet e mëtejshme të ndihmës ekonomike.
Por, ndërsa qeveria Tsipras ka tashmë vetëm 153 deputetë, 3 më shumë se shumica absolute, ka shumë ligjvënës që mbështesin koalicionin qeveritar, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për reduktimet e reja të pensioneve.
Të dielën e kaluar, kryeministri grek, në një mbledhje maratonë në prani të presidentit, ka kërkuar nga krerët e partive parlamentare mbështetjen e tyre në këtë moment kritik, por edhe një herë, si zakonisht në vitet e fundit, në Greqi është shfaqur përsëri patologjia e rëndë e sistemit politik të vendit që vetëm kritikon qeverinë dhe nuk ka asnjë propozim konkret për çështjet kryesore politiko-ekonomike që kërkojnë zgjidhje urgjente.
Top Channel