Beograd, samiti i OSBE-së kalon nën hijen e tensioneve Rusi-Turqi-SHBA

03/12/2015 00:00

Samiti i OSBE-së, i organizuar në kryeqytetin serb Beograd, me temë kryesore “luftën kundër terrorizmit”, ka kaluar nën hijen e marrëdhënieve të Rusisë me Turqinë, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov u shpreh i gatshëm të takojë kundërshtarët e tij më të mëdhenj, njëkohësisht edhe homologë të tij, Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe shefin e diplomacisë turke, Mevlut Cavusoglu.

Zyrtarët e Rusisë dhe të Turqisë janë takuar për herë të parë, që pas incidentit të avionit rus në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë.

Në një samit të kontrolluar, edhe pse me shumë media e pak hapësirë për gazetarët, janë bërë takime që nxisin shpresë për ulje tensionesh në nivelin global, edhe pse kjo duket e vështirë.

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe të Bashkimit Europian kanë thënë se, lufta kundër terrorizmit duhet të jetë e përbashkët dhe e vendosur, pasi problemet në këtë rast mund të zgjidhen për disa muaj.

Serbia është udhëheqëse e këtij mandati të OSBE-së dhe në këtë samit kanë marrë pjesë delegacione nga 58 shtete.

Top Channel