Basha: Qeveri teknike dhe zgjedhje

03/12/2015 18:40

Konventa e të rinjve në Fier ishte një nga takimet me entuziaste të Lulzim Bashes dhe ai nuk e kurseu kushtrimin për të rinjtë demokratë, që njesoj si 25 vjet më parë, të përmbysin një diktaturë të re, të cilën Lulzim Basha e quan “diktatura e krimit dhe e korrupsionit”.

“1.2 miliardë euro, para që përndryshe do të ktheheshin në pensione më të larta, rroga më të larta, në bursa studimi, në mundësi për një shëndetësi më të mirë e më përgjegjëse për qytetarët shqiptarë, në punësim, në mirëqenie, në ndihmë ekonomike, por që sot e gjithë ditën janë kthyer në pasuri përrallore për këta sheikë korrupsioni, për dyshen Rama-Meta dhe 40 hajdutët e tyre. Faktet njihen botërisht e pas dy vite përballje, e denoncime nuk ka shqiptarë që nuk e di se Republika e Shqipërisë sot nuk ka më një qeveri legjitime kushtetuese por një bandë hajdutësh që duhen larguar një orë e më parë”, iu drejtua të të rinjve fierakë, Lulzim Basha.

Pak ditë përpara protestës së 8 Dhjetorit, Lulzim Basha i bëri Edi Ramës akuzën më të rëndë të këtyre dy viteve dhe e krahasoi për ngjashmërinë diktatoriale me Enver Hoxhën.

“Kjo është jo vetëm një hajdutëri por kjo është një pacipësi, një tallje me popullin që vetëm dikush e ka bërë para tij dhe siç raportonte sot media më prestigjioze në botë, BBC shqiptarët kanë ngritur gishtin dhe fajësojnë Edi Ramën njësoj siç fajësonin Enver Hoxhën. Dhe ky nuk po i lë gjë mangut me kërbaçin e ngritur dhe trajtimin e sipërmarrjes si armike. Nuk po i lë gjë mangut me përbuzjen dhe rishpronësimin e pronarëve. Nuk po i lë gjë mangut me shkeljen dhe burgosjen e të përndjekurve. Nuk po i lë gjë mangut me censurën, me poshtërimin, me mashtrimin ndaj rinisë studentore, me një palo ligj që do ta hedhim një orë e më parë në koshin e mbeturinave. Nuk po i lë gjë mangut në adhurimin e xhelatëve të diktaturës, e ka marrë edhe ky rrugën e Enverit. Me 8 dhjetor t’i japim shtysën e fundit”, u shpreh shefi i opozitës.

Në Fier, por edhe më herët paradite në Tiranë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, Lulzim Basha thotë se zgjidhja është largimi i qeverisë “Rama” nëpërmjet protestave. Deri tani nuk ka asnjë detaj publik sesi do të organizohet protesta e 8 Dhjetori dhe sa do të zgjasë ajo, por kreu i opozitës shpjegoi se çfarë do të thotë “zgjidhje‎”.

“Zgjidhja është krijimi i një qeverie teknike, që do të përgatisë reformën zgjedhore, do të implementojë ligjin e dekriminalizimit dhe do të përgatisë vendin për zgjedhje të reja. Nuk duam thjesht të largohen këta e të vijmë ne. Duam një zgjidhje për Shqipërinë në mes të së keqes që e ka mbërthyer. Se kush do të vijë, le ta vendosë populli me votë”, deklaroi Basha.

Top Channel