PD, akuza për prerjen e pyjeve; Koka: Lejet, mbi ligjin ekzistues. Moratoriumi i pezullon të gjitha

02/12/2015 10:30

Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi ka akuzuar Ministrinë e Mjedisit se, në prag të moratoriumit për pyjet kanë dhënë 10 leje për shfrytëzimin e tyre.

“Kërkojmë që moratoriumi për prerjen e pyjeve të fillojë që sot, të anulohet licenca e prerjes së pyjeve për kushëririn e Ylli Manjanit dhe dajën e deputetit Spahiu në Bulqizë, të anulohet çdo licencë për prerje pyjesh për banditët e Taulantit në Stëblevë të Librazhdit. Të ndërpritet me efekt të menjëhershëm çdo prerje pyjesh në zonat e mbrojtura, të anulohen 10 ankandet e fundit të prerjes së pyjeve”, tha Jamarbër Malltezi.

Partia Demokratike thotë se, ndërsa përgatitej moratoriumi nuk mund të jepeshin leje për prerje. Ajo kërkon që të hyjë menjëherë në fuqi moratoriumi, pasi deri në janar, kompanitë mund të bëjnë masakër në pyje.

Opozita ka publikuar edhe faksimilet e Agjencisë së Prokurimeve, për ankandet e prerjes së pyjeve në disa zona të vendit. Bëhet fjalë për prerjen e pyjeve për lëndë ndërtimi dhe për dru zjarri.

Ndërkohë, kreu i Mjedisit Lefter Koka tha se, këto leje janë dhënë në kuadër të ligjit të vjetër, i cili është në fuqi.

“Kemi në fuqi ligjin aktual të menaxhimit të pyjeve. Sigurisht drejtoritë e Shërbimit Pyjor, duke marrë aprovimin në Ministrinë e Mjedisit, kanë pajisur, pajisin dhe do të vazhdojnë të pajisin për periudhën deri kur moratoriumi të hyjë në fuqi me leje shfrytëzimi pasi bëjnë planin e menaxhimit dhe shfrytëzimit të pyjeve. Moratoriumi parashikon fare qartë se do të ndërpriten të gjitha llojet e aktiviteteve nga janari, qofshin këto koncesione, leje shfrytëzimi apo eksporte, që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e drurit me qëllime përfitimi”, tha Lefter Koka.

Prej 1 janarit do të jetë bashkia, institucioni përgjegjës për furnizimin e qytetarëve me lëndë drusore për nevoja familjare.

“100 për qind e pyjeve do të administrohen nga pushteti vendor, pra nga 61 bashkitë, të cilat do të evidentojnë nevojat e popullatës në zonat e tyre përkatëse. Do të jenë bashkitë që do të bëjnë furnizimet për nevojat e domosdoshme për qytetarët e ndodhur në zonat e tyre”, tha më tej ministri i Mjedisit.

Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se, buxheti i vitit 2016 për menaxhim, kontroll dhe monitorim është 4.76% më i ulët se një vit më parë, çfarë e bën shumë të vështirë punën e inspektorëve në terren dhe kontrollin e 10 mijë subjekteve me ndikim në mjedis.

Top Channel