Autoritetet e Shkupit nuk e humbin optimizmin për anëtarësimin e vendit në NATO, megjithëse akoma nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për problemin që me vite po mban të bllokuar integrimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të veriut.
Pasi uroi zyrtarët e Malit të Zi për ftesën e marrë për anëtarësim, ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, tha se Maqedonia ka plotësuar të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e NATO-s që në vitin 2008, por vijon të mbetet jashtë aleancës për shkak të problemit pazgjidhur me Greqinë rreth emrit kushtetues.
“Ne do të vazhdojmë rrugën tonë për anëtarësimin e plotë në NATO. Parlamenti dje solli vendim për dërgimin e një kontingjenti të ri në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s, që dëshmon se jemi tërësisht të përkushtuar në këtë proces. Jam i sigurt se ftesa e NATO-s për Maqedoninë do të vijë së shpejti sepse ne po punojmë intensivisht për këtë”, u shpreh Zoran Jolevski, ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.
Por, përveç zgjidhjes së problemit të emrit, NATO kërkon nga Maqedonia edhe përmbushjen e Marrëveshjes së 2 Qershorit për normalizimin e situatës në vend dhe organizimin e zgjedhjeve demokratike.
Po ashtu, Aleanca e Atlantikut të veriut pret që Shkupi, të vazhdojë përpjekjet për krijimin e një shoqërie funksionale multientike bazuar në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Top Channel