Basha: Revolucion fiskal për të kthyer besimin tek ekonomia shqiptare

02/12/2015 12:35

Opozita thotë se koha e kësaj qeverie ka mbaruar sepse korrupsioni, kontrabanda dhe klientelizmi janë shndërruar në mjetet e pasurimit të saj të paligjshëm dhe rrënimit të përditshëm të ekonomisë së vendit.

Partia Demokratike beson se situata mund të rikuperohet dhe për këtë ka bërë gati platformën e saj fiskale.

“Ne vijmë sot para jush për të shpalosur një vizion të ri, një revolucion fiskal si pjesë e vizionit tonë për të rikthyer besimin tek ekonomia shqiptare, për të nxitur punën, prodhimin, kreditimin, punësimin përmes një paketë të gjerë dhe të thellë ndërhyrjesh në politikën fiskale të vendit. Të shoqëruar sigurisht me një vizion shumë më të plotë të politikave tona ekonomike dhe platformave për sektorët e veçantë të ekonomisë, të cilët po kështu do të mblidhemi dhe do të diskutojmë së shpejti”, deklaroi në një takim me sipërmarrës, kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Kjo që Lulzim Basha e quan revolucion ka nje lajtmotiv, taksat e uleta dhe përveç taksës së sheshtë 9 përqind, Basha prezantoi si risi uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar, një vendim për të cilin ai tha se ishte i vështirë.

“Konkurrues është çelësi, fjala kyç e propozimit tonë fiskal. Duke nisur me taksën e sheshtë 9%, 9% taksë e sheshtë, tatim-fitimi, 9% kontribut i sigurimeve shoqërore. Ky propozim konsiston në një tatim përafërsisht 0.5 % të xhiros për biznesin e vogël, tavan i cili  do të ngrihet deri në 12 milionë lekë të reja xhiro vjetore me tre fasha: Në fashën e parë 0-5 milionë i tatim të përllogaritur në vlerën e 10 mijë lekëve të reja, në fashën e dytë, 5-8 milionë përllogaritur në vlerën e 30 mijë lekëve të reja dhe në fashën e tretë 8-12 milionë në vlerën e 50 mijë lekëve të reja”, tha Basha.

Partia Demokratike nuk e fsheh më se synon zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet një qeverie teknike. Kjo është arsyeja përse kjo do të jetë hera e parë që opozita ka vendosur të mos paraqesë asnjë amendament në Parlament, kur të premten të diskutohet buxheti i vitit të ardhshëm.

“Këtë të premte dhe javën e ardhshme Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk do të çojë më amendamente. Ta mendosh diçka që është thellësisht e gabuar dhe e provuar si e rrezikshme, shkatërrimtare për ekonominë është së paku naive dhe nuk ka kohë më për shfaqje.Për biznesin nuk ka dhe nuk do të ketë ndjeke penale dhe dënim me burg për mospagim taksash. Instrumentet që ne do të përdorim dhe që bazohen në rradhë të parë tek vetëdeklarimi, tek vetëpjesëmarrja në insistent të drejtë taksimi si ky që shpalosim sot, janë mëse të mjaftueshme dhe do të jenë në përputhje të plotë  me praktikat më të mira të Bashkimit Europian, e jo të mesjetës apo Afrikës Ekuatoriale, apo nuk e di se ku i ka nxjerrë modelet e burgut ky Kryeministër për të mbushur gropën e shkaktuar nga  kontrabandistët e lidhur me të”, vijoi kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Top Channel