Apeli i PE-së për dekriminalizimin: Shpresë që të votohet të enjten

02/12/2015 19:20

Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein besojnë se Parlamenti do të votojë me një shumicë të gjerë ligjin për dekriminalizimin.

Dy eurodeputetët thonë se ky konsenus do jetë nisja e një ere të re në politikën shqiptare. Fleckenstein thotë se testin e drogës e ka vetëm Bermuda dhe asnjë vend tjetër në botë.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE: Ne shpresojmë se të enjten në Parlament do të ketë një votim në shumicë të gjerë për këtë ligj. Na u desh, apo më saktë Parlamentit iu desh plot një vit kohë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, një kohë shumë e gjatë. Si përfundim, rezultati është i mirë dhe kjo është mê e rëndësishmja edhe për mesazhin. Votoni së bashku e nisni një erë të re.

Eduard Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë në PPE: Shpresoj vërtetë se nuk do të ketë surpriza të minutës së fundit, por do të votohet e miratohet të enjten, sipas planit. Është një frymëzim i mirë e duhet të shërbejë për t’i inkurajuar ata se ekziston mundësia për të arritur marrëveshje mbi çështje shumê të vështira, edhe kur qëndrimet fillestare të të dy palëve janë larg njëra-tjetrëst. Kur ata diskutojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin, në përfundim arrijnë marrëveshje në konkluzion. Mbase të dy nuk mbeten njësoj të kënaqur, por e rëndësishme është që të bëhet. Do të jetë një hap i rëndësishëm në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri, çfarë do të reflektohet në një imazh më të mirë të vendit jashtë, e në këtë fazë kjo ka rëndësi gjithashtu. Prandaj, unë dua t’i inkurajoj ata për çështjen e dekriminalizimit.

Top Channel: Kur flasim për surpriza, a u habitët që marrëveshja mes socialistëve dhe demokratëve nuk u arrit gjatë takimit ndërparlamentar, siç e prisnit, por disa ditë më vonë në Tiranë?

Kukan: Nuk dëshiroj të flas për çkurajime, apo gjëra negative. Kjo tregoi se nevojitej kohë për takime e diskutime të tjera. Për mua e rëndësishme është të ketë rezultat. Sigurisht, sa më shpejt, është mirë. Por jo tepër shpejtë pa patur cilësitë e nevojshme, duke krijuar probleme në të ardhmen. Mendoj se në këtë mënyrë është diskutuar nga të gjitha palët dhe do të rezistojë, sepse çështje të tilla si dekriminalizimi, apo reforma e drejtësisë, nuk është vetëm për një mandat qeverie, por për të ardhmen në afatgjatë. Prandaj duhet bërë në mënyrë të tillë, që të mos ketë presione të qëllimshme politike nga asnjë palë, për të shërbyer për një kohë të gjatë. Kjo ka rëndësi.

Fleckenstein: Pak javë më parë nuk ishte as atmosfera për të patur një dialog të tillë. Ne patëm një takim të tmerrshëm ndërparlamentar. Shumë grindje,  një tablo tepër e keqe e Shqipërisë! Kështu që më mirë që pati disa ditë ndërmjet. Të dy palët duhet ta mendojnë mirë sesi e paraqesin vendin e tyre jashtë territorit dhe sidomos, kjo shkon për opozitën. E di që është e vështirë, si një politikan në opozitë për një kohë të gjatë. Ju duhet të kritikoni qeverinë, sigurisht dhe partitë në pushtet, por kur jeni jashtë, mbani parasysh tablonë e vendit në tëresi.

Top Channel: Në të vërtetë, pavarësisht marrëveshjes së arritur, palët vijojnë të akuzojnë njëra-tjetrën. Sa e rëndësishme është reforma e drejtësisë në këtë kuadër, edhe për një zbatim të duhur të ligjit mbi dekriminalizimin?

Fleckenstein: Unë mendoj se ligji për dekriminalizimin nevojitet si fillim dhe reforma e drejtësisë është hapi i radhës tepër i rëndësishëm sepse nuk flasim vetëm për dekriminalizimin e Parlamentit, por edhe për ndryshimin e personelit në administratë apo gjyqësor, pasi me njerëzit që keni aty, nuk mund të arrini rezultate të mira me të gjithë dhe të gjithë e dinë këtë. Ndaj, ligji për dekriminalizimin është starti. Do të jetë hap i parë, për të vënë gjerat e tjera në rregullin e duhur.

Kukan: Reforma e drejtësisë është më komplekse dhe më e gjerë. Dekriminalizimi është pjesë e fortë e saj. Të paktën ka diçka po u miratua, njëfarë baze. E di se do të jetë e vështirë. E di se partitë do të kenë ide të ndryshme e mbase do të marrë kohë, por është e nevojshme të kuptohet se është një domosdoshmëri. Nëse ata duan që vendi të vijojë përpara në rrugën e integrimit duhet ta bëjnë, jo për Europën, por për gjendjen brenda vendit. Njerëzit e zakonshëm do të besojnê tek autoritetet vetëm nëse ka një sistem real drejtësie, që nuk i shërben ndonjë qëllimi politik, që është objektiv në të mirë të vendit e qytetarëve. Mbase ngjan patetike, por kështu mendoj.

Fleckenstein: Me një shembull tjetër, si mund të shpëtoni nga korrupsioni nëse gjithnjë e dini se po të çoni një dosje në gjykatë, do ju duhet të paguani për të patur rezultat të mirë. Për të ndryshuar këtë, duhet reforma e drejtësisë dhe shpresoj se me këshillën e Komisionit të Venecias, do të kryhet së shpejti. Nuk e di se sa muaj u nevojiten për ndryshimet e Kushtetutës dhe ndryshimet ligjore, por siç e dimë të gjithë, atëherë do të nisë puna sepse është e këndshme të paturit në letër, por jo kaq e thjeshtë ta bësh realitet atë.

Kukan: Dua të shtoj se unë nuk do të pranoja asnjë justifikim për të mos arritur marrëveshje nga asnjëra palë. Është hap i nevojshëm. Ka ndihmë të Komisionit të Venecias, kështu që u takon atyre të gjejnë marrëveshje.

Top Channel: Z. Kukan a pajtoheni me zotin Berisha, i cili deklaroi sërish se nuk do të votojë ligjin nëse nuk përfshin testin e drogës?

Kukan: Unë çmoj marrëveshjen e arritur ndërmjet dy partive.

Fleckenstein: Të gjithë e dimë se përjashto Bermudën, nuk ka asnjë vend të botës me këtë lloj testi droge, ndërsa unë i druhem më shumë testit të alkoolit këtu në Parlamentin Europian, të paktën pasditeve.

Top Channel