PS: Basha, leje për 16-katëshin në qendër të Tiranës

01/12/2015 13:45

Partia Socialiste akuzon kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për dhënien e një lejeje abuzive ndërtimi në qendër të Tiranës vetëm 6 ditë para dorëzimit të detyrës.

“Përpara se të dorëzonte dytyrën e kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha ka miratuar vazhdimin e një ndërtimi abuziv. 16 kate ndërtohen në truallin e një përfaqësie diplomatike, mu në qendër të Tiranës, duke mos respektuar asnjë rregull urbanistik, duke rrezikuar ndërtesat përreth. A është ky klientelizëm, abuzim me pushtetin apo shpërdorim me detyrën? Njeriu që nuk shfaqej në zyrë, u shfaq 6 ditë para se të dorëzonte detyrën dhe bën shërbimin e fundit për klientët e tij. Rinovoi këtë leje vetëm 6 ditë para se të dorëzonte detyrën. Kjo është tradhtia e fundit e radhëz e Lulzim Bashës ndaj Tiranës”, deklaroi nga selia e PS-së, deputeti Taulant Balla.

Balla kërkoi nga ana e prokurorisë nisjen e hetimeve mbi bazën e këtyre deklaratave.

“Organet e drejtësisë duhet të nisin hetimet. Kjo është një aferë e pastër korruptive, një pallat 16 katësh mu në mes të Tiranës. Basha duhet të përgjigjet për të gjitha gjëmat që i ka bërë Tiranës”, shtoi Balla.

Top Channel