Nga Zhaneta Prifti – Ndërmarrja e një moratoriumi, që nënkupton pezullim të përkohshëm të një aktiviteti për realizimin e një sfide të caktuar, shpreh qartë domosdoshmërinë e marrjes së këtij vendimi, kur në vizionin dhe largpamësinë e politikëbërësve janë të qarta qëllimet, objektivat, pa anashkaluar risqet dhe kostot.
Është në vizionin e Ministrisë së Mjedisit dhe prioritet i kreut të saj përballimi i çdo sfide për arritjen e synimit kryesor, të vënies së vlerave të burimeve natyrore në funksion të mirëqenies së komuniteteve në afërsi të tyre dhe më gjerë. Kjo sfidë nuk është e lehtë, kur ekziston një trashëgimi e burimeve natyrore, tashmë pjesë e ekosistemeve që kanë humbur ekuilibrin në vite dhe që kanë bërë të pamundur rehabilitimin e tyre me gjithë masat e ndërmarra paraprakisht.
Ka qenë ky vizioni i shprehur në strategjinë kombëtare për zhvillimin e pyjeve dhe kullotave në Shqipëri, miratuar në prill të vitit 2004, me qëllime të qarta dhe objektiva të shumta, në krye të të cilave qëndronte si përparësi: “Ndërprerja e biznesit të shfrytëzimeve tregtare për një periudhë të paktën 10-vjeçare, nëpërmjet riorganizimit dhe rritjes së kontrollit”.
Është ky vizion, që pas një pune të gjithanshme, me specialistë të fushës, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe aktorë të tjerë, bëri të mundur jetësimin e strategjisë dhe propozimin e projektligjit tashmë të miratuar nga qeveria “Për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, projektligj që do të përbëjë një bazë të fuqishme për realizimin e reformimit të sektorit pyjor, ku moratoriumi në pyje jep përmasat e një reforme madhore.
Ndërmarrja e moratoriumit do të mbetet vendim historik, sepse është i vetmi që ndërmerret në situatën tepër të rënduar në pyje dhe i dyti në historinë e pyjeve të Shqipërisë, pas atij të vitit 1940, për ndalimin totalisht të eksportit të lëndës drusore nga Shqipëria.
Sikurse në ato vite të vështira për pyjet e Shqipërisë, edhe tani moratoriumi mbetet e vetmja masë shpresëdhënëse që do ta përmirësonte këtë situatë mjerane në pyje dhe do të na çonte drejt zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve. Ndërkohë që janë ndier impaktet pozitive të moratoriumit të gjuetisë, zbatimi i moratoriumit të pyjeve duhet të jetë shpresëdhënës për domosdoshmërinë dhe ndikimet e tij pozitive të gjithanshme, me gjithë risqet dhe pasojat negative social-ekonomike, për atë pjesë të shoqërisë që ka ngritur aktivitete ekonomike dhe biznesi bazuar në shfrytëzimin e tregtimin e pyjeve …
Moratoriumi në pyje është shpresëdhënës si e vetmja mundësi për të shpëtuar pyjet ekzistues, si pyje me vlera prodhuese, mbrojtëse, ekologjike, turistike, kreativiteti, biodiversiteti, studimi etj.
Moratoriumi mbetet e vetmja mundësi për t’u dhënë shansin pyjeve të rinj 20 – 40-vjeçarë t’u shpëtojnë prerjeve barbare dhe të gëzojnë një pauzë biologjike të domosdoshme deri në moshën e vërtetë të shfrytëzueshmërisë, ku duhen shumë për rehabilitimin e tyre …
Moratoriumi është e vetmja mundësi për krijimin e ekuilibrit të humbur të ekosistemit pyjor dhe rritjen e potencialit të rolit shumëfunksional të pyjeve tona në drejtim të prodhimtarisë, biodiversitetit, funksioneve ekologjike, ekonomike, sociale, mbrojtëse ndaj erozionit e shumë të tjera në të gjitha nivelet. Sigurisht, moratoriumi nuk do të ishte efektiv, nëse nuk do të shoqërohej me masa të tjera të domosdoshme gjatë viteve në vazhdim, sikurse do të jetë inventarizimi kombëtar i pyjeve i munguar që në vitet ’80 dhe hartimi i kadastrës dixhitale, investime të parashikuara për shtimin nëpërmjet mbjelljeve dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të degraduara, investime të konsiderueshme për mbrojtjen, rehabilitimin dhe mirëmenaxhimin e zonave të mbrojtura etj.
Rëndësi të veçantë do të marrin edhe një sërë masash të parashikuara krahas moratoriumit, në projektligjin e ri “Për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar”, të miratuar nga qeveria, në pritje për zbatim në fillim të vitit të ardhshëm.
Riorganizimi i strukturave dhe kalimi i menaxhimit të fondit pyjor publik, bashkive, përveç zbatimit të parimit të decentralizimit do të jetë në favor të kalimit të të mirave publike të pyllit në funksion të pushtetit lokal për plotësimin e nevojave të komuniteteve përkatëse, si dhe mundësi më të mira mbrojtjeje.
Sanksionimi me ligj i arsimimit të profilit pyjor të detyrueshëm për të gjithë personelin që do të punojë në strukturat e menaxhimit të pyjeve në të gjitha nivelet, përbën gjithashtu një hap pozitiv lidhur me përgjegjshmërinë profesionale në mirëmenaxhimin e ardhshëm të pyjeve. Do të ishte i pamundur bashkëpunimi ynë me botën që na rrethon në nivel rajonal e më gjerë, nëse nuk arrijmë zbatimin e parimit bazë të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, për të vazhduar me zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare, ku sektori pyjor luan një rol kyç në zbatimin e programeve kombëtare në degë të tjera të ekonomisë, si atë të bujqësisë, blegtorisë, energjetikës, ujërave, turizmit, zhvillimit rural në përgjithësi.
Gjithashtu, do të ishte i pamundur bashkëpunimi ynë me botën në të cilën duam të integrohemi, si dhe zbatimi i konventave ku aderojmë pa realizuar zhvillimin e qëndrueshëm, kusht i domosdoshëm për përballjen e sfidave globale, ku pyjet sot përbëjnë fjalën kyç në çështjen madhore që shqetëson mbarë globin, atë të ndryshimeve klimatike.
*Autorja është këshilltare në Ministrinë e Mjedisit
Gazeta Shqip
Top Channel