Basha, ftesë për protestë më 8 dhjetor: Në vend është instaluar diktatura e krimit

01/12/2015 14:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ftoi qytetarët t’i bashkohen opozitës në protestën e 8 dhjetorit, që për kreun e opozitës nuk është thjesht një protestë antiqeveritare, por është një protestë për t’i thënë “ndal” tiranisë së krimit dhe korrupsionit.

Lulzim Basha tha në Konventën Rinore të Durrësit se, pas 25 vitesh demokraci, liria është sërish në rrezik, këtë herë nga një diktaturë e re, që ai e quajti diktatura e krimit.

“Ku janë sot 300 mijë vende pune? 73 mijë më shumë të papunë, thonë vet burimet qeveritare. U shkaktuan prej represionit, prej kërbaçit, prej agresionit të bandave tatimore të Edi Ramës mbi biznesin e vogël, kryesisht në muajt shtator dhe tetor. Nuk ka shëndetësi falas. Ka një shëndetësi në kolaps, që nuk arrin dot t’iu përgjigjet qytetarëve as me mjetet më elementare. Pse rriten taksat dhe ku shkojnë paratë? Përgjigjja është e thjeshtë: paratë vidhen. Taksat rriten, që paratë të vidhen. Paratë nuk përfundojnë asnjëherë në llogaritë e shtetit. Në fund të nëntorit, sipas të dhënave paraprake, shuma e vjedhur nga Doganat dhe Tatimet shqiptare ka mbërritur në 360 milionë dollarë. Kjo është e vërteta, ky është marifeti i Rilindjes. Rrit taksat, por jo rrogat; rrit gjobat, por jo investimet; planifiko më shumë, por mblidh më pak… sepse kështu vjedh më shumë”, tha Lulzim Basha.

* Në Durrës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se gara për kreun e Forumit Rinor të PD-së nuk bëhet për shtim radhësh, por për të marrë stafetën.

“Kundërshtarët politikë e njohin shumë mirë forcën e forumit rinor, kur ai është i bashkuar dhe i vendosur për t’u shkuar betejave deri në fund. Kjo garë në PD nuk është thjesht një shtim biologjik i radhëve, nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm një pararojë logjistike, po ka qënë është dhe përmes sfocimit të strukturave të reja që do të ngrihen që do të jetë stafetmbajtësja dhe përgjegjësja”, tha Basha.

Ai akuzoi kryeministri Edi Rama se është drama më e dhimbshme për Durrësin dhe të gjithë Shqipërinë. Krim ka hyrë kudo, – u shpreh Basha, – teksa në Durrës udhëheq – sipas tij, – edhe kryebashkiakun Vangjush Dako.

“Nën kërcënimin e një forme të re diktature, të krimit që sot është veshur me pushtet, është futur në Parlament, në bashki në makinat shtetëore e kudo ku merren vendime për shqiptarët, krimi sot dikton cilat vendime merren e cilat jo. Vangjush Dakon krimi e ka marr peng për orë të tëra dhe ta detyrojë të grisë një vendim të mëparshëm korruptiv, për të firomsur një tjetër vendim korruptiv. Këtu në Durrës krimi janë bërë njësh me pushtetin, terrorizojnë qytetarët, vendosin se kush mund të bëj aktivitetin ekonomik dhe në cilin sektor. Ata vrasin e presin kudo ku shohin se kanë diçka për të marrë e të zhvatur, e bëjnë këtë pa frilkë. Rama është drama më e dhimbshme për Durrësin e për gjithë Shqipërinë. Erdhi në pushtet me një festival premtimesh të bujshme, në pjesë prej të cilave rrezononin me shumë shqetësime të qytetarëve tanë. Ku jemi sot? Ku ndodhet sot Shqipëria? Megaskandalet po plasin ditë për ditë, premtimet janë harruar, sepse në vend që të merremi me pretimet, përditë merremi me zullumet qeveritare”, tha Basha

Top Channel