Samiti për klimën, ende mosmarrëveshje për ngrohjen globale

30/11/2015 11:05

Konferenca e Klimës u çel në Paris në praninë e dhjetëra liderëve nga çdo pjesë e globit, të cilët në këtë event të rëndësishëm të OKB-së i mbledh një qëllim i përbashkët: arritja e një qasjeje të re globale ndaj ndryshimeve klimaterike.

147 është numri i udhëheqësve që pritet të flasin në takimin e njohur ndryshe si COP21, ku do të lançohen veç të tjerash edhe iniciativa që synojnë nxitjen e të ashtuquajturave “teknologji të pastra”.

Negocjatorë nga 195 shtete në total do të tentojnë vulosjen e një marrëveshjeje brenda dy javëve të ardhshme. Por në këtë përpjekje madhore për një traktat të ri të klimës, vendet më të varfëra të botës druhen se do të lihen pas.

Shqetësimet më të mëdha janë se interesat e tyre do të sakrifikohen për hir të kompromisit. Boshtin e diskutimeve e përbën pakti i ri që do ta kufizojë mesataren e ngrohjes globale në 2 gradë Celsius, por nëse 180 planet kombëtare të paraqitura nga shtetet përkatëse do të implementoheshin vërtet, atëherë temperatura e planetit do të rritej me gati 3 gradë.

Për 48 prej anëtarëve të grupit të vendeve më pak të zhvilluara, LDC, çdo ujdi që parasheh një rritje prej më shumë se 1.5 gradë është katastrofike.

“Për LDC-në, zhvillimi ekonomik, siguria ushqimore rajonale, ekosistemi dhe vetë mbijetesa e popullsisë e gjësë së gjallë janë që të gjitha në rrezik nëse bisedimet synojnë vetëm një botë me nxehje 2 gradë Celsius. Krerët e shteteve do të jenë në Paris për t’i dhënë tonin këtyre negociatave. Ne përsërisim thirrjen tonë për një marrëveshje ambicioze, të fuqishme dhe detyruese të klimës, e cila të mos lërë prapa më të dobëtit e të cënueshmit mes nesh”, deklaroi Giza Gaspar Martins, nga Angola.

Drafti i paktit të hedhur në diskutim është një tekst prej 50 faqesh të mbushura me fjali në kllapa, një shenjë kjo e qartë mosmarrëveshjesh. Ekipet e negociatorëve e nisën punën që të djelën, të ndërgjegjshëm se shumë prej çështjeve të rëndësishme mund të mbeten të pazgjidhura.

Një nga përplasjet kryesore është ajo mbi termin “diferencim”: Shtetet e Bashkuara e vende të tjera të pasura nuk janë dakord me përkufizimet e bëra në 1992-shin, koha kur u krijua ky organizëm, i cili përcaktimin e një shteti si “të zhvilluar” apo “në zhvillim” e bën në bazën e pasurisë që ka.

Argumenti i vendeve në fjalë është se marrëveshja duhet të reflektojë pozicionin aktual të shtetit, çka do të thotë se barrën e uljes së emetimeve të karbonit duhet ta ndajnë tashmë një numër më i madh vendesh nga sa parashikohej më parë.

Parisi është praktikisht i blinduar me masa të jashtëzakonshme sigurie të marra nga autoritetet për eventin e paraprirë nga protesta e marshime sensibilizimi në disa qendra të rëndësishme botërore, ndërsa në vetë kryeqytetin francez nuk munguan përplasjet e tubuesve me policinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA