Rreziku i shembjes së pallateve, studim për gjithë zonën me ndërtime

30/11/2015 15:30

37 familje të cilat rrezikoheshin për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut në Selitë të vogël, do të qëndrojnë të evakuara deri në një afat të pacaktuar.

Kjo sepse Shtabi i Emergjencës i ngritur për të rehabilituar perimetrin e prekur nga rrëshqitjet nuk ka ndërhyrë ende me veprime konkrete. Përveç bllokimit të zonës, e cila mbahet nën mbikqyrjen e policisë bashkiake dhe të policisë së shtetit, topografët kanë përfunduar matjet në vendngjarje që konsiderohen të rëndësishme për projektin që po përpilohet. Prefekti i qarkut Tiranë Sadi Vorpsi pohon se ndërhyrjet do të kryhen kur të përfundojnë projekti teknik.

“Aktualisht po punohet pas një takimi që patëm dhe me kryetarine bashkisë dhe drejtorin e emergjencave civile po presim nga momenti në moment të hartohet një projekt rehabilitues. Janë specialistët ata që e orientojnë mënyrën se si do të ndërhyhet. Janë rreth 110 metra që kërkon pilotim. Sa banesa rrezikohen nuk mund ta them, por situata është në kontroll dhe nuk ka vend për panik. Aty është një subjekt ndërtues që ka kërkuar për të marrë një leje ndërtimi, që nuk është zbardhur asnjëherë dhe ka operuar në kundërshtim me ligjin”, tha Sadi Vorpsi.

Ndërsa pritet që të alokohet një fond i posaçëm nga shteti për këtë situatë emergjence, zoti Vorpsi pohon se për të parandaluar ngjarje të ngjashme do të ketë studime edhe në zona të tjera të Tiranës, kryesisht në kodrat pranë Kopshtit Zoologjik që janë shndërruar në zona banimi vitet e fundit.

“Ne po hartojmë një plan dhe një grup pune për të kontrolluar gjithë zonat problematike dhe dihet që sidomos zona kodrinore e Tiranës, siç ndodh në rastin konkret ka probleme. Një plan të ngritur mbi një grup pune, bashkë me institucione shtetëore, duke nisur nga Shërbimi Gjeologjik shqiptar, që është një institucion shumë i rëndësishëm në rastin konkret dhe institutin e ndërtimeve, për të parë se ku janë zonat problematike dhe për të ndërhyrë dhe parandaluar situata të tilla”, tha Vorpsi.

Nga ana tjetër vijon të jetë në kërkim administratori i firmës që kishte kryer gërmimet , shtetasi Bujar Hasa, ish prefekt i Fierit. Prokuroria e Tiranës thotë në rrugë zyrtare se ka sekuestruar dokumentacionin e kësaj kompanie ndërtimi, për të verifikuar se çfarë procedure është ndjekur.

Ndërkohë që ende nuk është kryer ndonjë veprim lidhur me verifikimin e ligjshmërisë dhe kriteret teknike të dhënies së lejeve të ndërtimit nga ish komuna Farkë, nën admistrimin e të cilës ka qënë kjo zonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA