E ardhmja e Rudi Garcias në pankinën e Romës tani varet në fije të perit pas humbjeve të pësuara me Barcelonën dhe Atalantën. Trajneri francez nuk ka më kohë në dispozicion për të përmirësuar gjërat dhe mundësia e fundit për të duket se do të jetë BATE Borisov.
Në 9 dhjetor skuadra verdhekuqe do të luajë ndaj asaj bjelloruse, ndaj së cilës do të kërkojë kualifikimin për në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve. Fitorja është opsioni kryesor për romanët, por edhe barazimi mund të mjaftojë për ta nëse Barcelona fiton ndaj Leverkusenit.
Në rast se Roma do të dështojë në këtë objektiv, atëherë shkarkimi i tij përpara mbylljes së sezonit bëhet i paevitueshëm dhe kjo do ta detyrojë Sabatinin të nisë menjëherë kërkimet për zëvendësuesin e tij. Në këtë moment, emrat që qarkullojnë në ambientet e Romës janë ata të Luciano Spalletit dhe Walter Mazzarrit, i cili u kërkua nga verdhekuiqtë edhe në vitin 2013.
Por ëndrra e madhe e Romës në këtë pikë është Antonio Conte, i cili do të jetë i lirë vetëm pas Kampionatit Evropian të Francës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Tekniku i Italisë konsiderohet si njeriu i duhur për Romën për të rikthyer në kryeqytet titullin e Serisë A, që mungon prej 15 vitesh.
Top Channel