Klima, udhëheqësit botërorë apelojnë për arritjen e një marrëveshjeje

30/11/2015 00:00

147 krerë shtetesh janë mbledhur në Paris me një qëllim të përbashkët: rritjen e bashkëpunimit global ndaj ndryshimeve klimatike.

Në takimin e njohur ndryshe si “COP21”, pavarësisht se shumë prej tyre shtruan argumenta të ndryshëm për traktatin e ri të klimës, gjithçka do të finalizohet me firmosjen e një marrëveshjeje të përbashkët brenda dy javëve të ardhshme.

Presidenti amerikan Barack Obama tha se, ne jemi gjenerata e parë që ndien impaktin e ngrohjes globale, si dhe gjenerata e fundit që mund të bëjë diçka për të.

“Unë kam ardhur këtu personalisht, si udhëheqës i ekonomisë më të madhe në botë dhe si vendi i dytë emetues më i madh, çfarë do të thotë se Amerika jo vetëm që njeh rolin e saj në ndryshimin e klimës, por do të veprojë për ta rregulluar atë. Një nga armiqtë, që duhet të luftojmë në këtë konferencë është cinizmi, apo nocioni se ne nuk mund të bëjmë diçka në lidhje me ndryshimin e klimës. Le të riafirmojmë përkushtimin tonë dhe konferenca e Parisit të jetë një pikë kthese. Ne e dimë të vërtetën, që shumë kombe kanë kontribuar pak për ndryshimin e klimës, por në fakt ata do të jenë të parët, që do të ndiejnë edhe efektet më shkatërruese. Shtetet e Bashkuara premtojnë fonde shtese për vendet më pak të zhvilluara”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama.

Të njëjtin angazhim shprehu edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila shtoi se takimi i tyre po zhvillohet në një sfond të turbullt, duke iu referuar sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris.

“Parisi duhet të krijojë bazën dhe fondet për një jetesë të brezave të ardhshëm. Ne jemi mëse të vetëdijshëm për nevojën për të vepruar sot. Marrëveshja, që ne do të arrijmë, duhet të finalizojë atë që udhëheqësit premtuan 6 vite më parë në Kopenhagen: 100 miliardë dollarë në vit në ndihmë të klimës, për të ndihmuar vendet në zhvillim të botës, deri në vitin 2020. Paratë do të përdoren për të ndihmuar në zbutjen e ndryshimeve klimatike”, tha Angela Merkel.

Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për shumë çështje të rëndësishme me Perëndimin, ngrohja globale duket se e vuri Presidentin Vladimir Putin, në të njëjtën linjë me udhëheqësit e tjerë. Ai pohoi se, Rusia është një nga vendet, që po bën më shumë për këtë kauzë globale.

“Ndryshimi i klimës është një nga sfidat më të rënda, me të cilat po përballet njerëzimi, çfarë po shkakton gjithnjë e më tepër dëme të prekshme ekonomike. Rusia do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta, që synojnë parandalimin e ngrohjes globale. Vendi ynë ka marrë rolin udhëheqës për të reduktuar përdorimin aq të madh të energjisë”, tha kreu i Kremlinit, Vladimir Putin.

Për Presidentin kinez, Xi Jinping, ndryshimet klimatike nuk duhet të pengojnë aftësitë e vendeve për t’u zhvilluar. Marrëveshja, – tha ai, – duhet të vendosë një kontroll efektiv mbi përqëndrimet atmosferike të gazrave serë, duhet të reduktojë emetimet e tyre, si dhe të inkurajojë organizatat joqeveritare për të marrë pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar për ndryshimin e klimës.

Top Channel