Shefi i skuadrës Red Bull, Christian Horner pret që dominimi i Mercedesit të jetë shumë i madh edhe për sezonin e ardhshëm të Formulës 1.
Skuadra gjermane ka fituar titullin kampion për pilotë dhe konstruktorë në 2 sezonet e fundit dhe ka regjistruar 32 fitore në 38 gara, që nga momenti i ndryshimit të rregullores në vitin 2014. Red Bulli arriti të siguronte 3 fitore sezonin e shkuar, por këtë sezon zbriti në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar për konstruktorë, duke mos regjistruar asnjë fitore këtë sezon dhe duke luftuar çdo garë për të kompletuar ndryshimet në motor.
Horner nuk beson se do të ketë ndryshime radikale për vitin 2016, duke lënë të njëjtin avantazh në favor të Mercedesit. “Mendoj se rregullorja është shumë e përcaktuar edhe për vitin tjetër dhe është e pashmangshme që Mercedesi të vijojë të mbajë të njëjtin dominim që ka patur këto 2 vitet e fundit”, tha Horner.
“Edhe gjatë sezonit dimëror ato do të kenë mundësinë që të përmirësohen edhe më shumë dhe për skuadrat e tjera është një distancë e madhe që duhet të shkurtojnë në një kohë shumë të shkurtër. Nuk mendoj se janë shanse të mira (që ndonjë skuadër të mundë Mercedes)”, shtoi shefi i Red Bullit.
Horner mendon se një dominim i tillë e dëmton sportin dhe sjell argumenta që dominimi i Mercedesit nuk është aspak i ngjashëm me atë të Red Bullit në sezonet 2010-2013: “Jam i mendimit se parashikueshmëria e rezultateve dhe fitoret dominuese janë të vështira për çdo sport. Ne jemi akuzuar për një gjë të tillë, por ne kurrë nuk patëm mundësinë të gëzojmë vijueshmërinë e suksesit, pasi 2 nga titujt kampionë ne i vendosëm në garën e fundit dhe ne nuk e mbyllëm asnjëherë sezonin me pilotët kampion dhe nënkampion, siç po bën Mercedesi. Në këtë mënyrë ne i largojmë njerëzit nga ky sport. Jam i sigurt se askush nuk dëshiron të shikojë Fernando Alonson që vetëm të jetë pjesëmarrës. Ne duam ta shikojmë atë të luftojë për të fituar. Ne duam të shikojmë Daniel Ricciardon të jetë në garë për të fituar. Ne duam të shikojmë Sebastian Vettel të garojë për të fituar me Hamilton e Rosberg. Dhe këtë gjë nuk e arrijnë dot vetë skuadrat, por janë organizmat rregullues që duhet të vendosin një tjetër standard, për të arritur këto objektiva”.
Top Channel