
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një dalje për mediat gjatë mesditës së të dielës, ka akuzuar kryeministrin Rama se ka dekoruar xhelatët e urryer të komunizmit në 70-vjetorin e Çlirimit të vendit, një fakt që sipas tij është mbajtur i fshehtë për plot një vit.
“Dekorimi nga Edi Rama i xhelatëve më të urryer të regjimit komunist; i hetuesve, prokurorëve e gjykatësve, që kanë vrarë pa gjyq, kanë dënuar me vdekje, kanë internuar, torturuar e dhunuar mijëra qytetarë gjatë diktaturës; është një akt i pashembullt armiqësie, është një dënim i dytë që u bëhet familjeve të viktimave dhe të gjithë shoqërisë, që ka vuajtur për 45 vite privimin e çdo të drejte dhe lirie, që ka vuajtur deri në krizën e urisë nga pushteti i Enver Hoxhës”, ka thënë Paloka.
Ai shton më tej se ky vendim monstruoz është marrë nga qeveria me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, dhe pavarësisht se gjatë kësaj të diele u kremtua 71-vjetori me një ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve, ai është mbajtur i fshehtë për një vit.
“Dekorimi i xhelatëve është një thikë pas shpine, që u bëhet shqiptarëve, një provokim i një regjimi të ri, që po dëshmon se ka rrënjë e mendësi të përbashkëta me diktaturën gjakatare komuniste. Edi Rama, me dekorimet që ka dhënë, del qartazi se nuk ndryshon aspak nga hetuesi i At Zef Pllumit, nga hetuesit, prokurorët e gardianët e zinj, që kanë ushtruar tortura çnjerëzore, ndaj atyre që nuk mendonin njësoj me regjimin, apo që besonin në Zot”, ka vijuar më tej akuzën e tij Paloka.
Me të tilla veprime, thotë më tej deputeti demokrat, Edi Rama po glorifikon figurën e diktatorit Hoxha, një projekt që ai e nisi me festimet së bashku me portretin e tij e që tashmë po e dekreton edhe me medalje qeveritare ndaj të gjithë xhelatëve që kanë vrarë e kanë prerë në emër të Enverit. “Edi Rama dhe ministrat e tij, 25 vite pas rënies së diktaturës po dëshmojnë se janë bijtë e etërve, janë vijimësia e kohës më të errët që ka kaluar kombi, e diktaturës më të egër në gjithë Lindjen”, tha Paloka.
Në fund, nënkryetari i Partisë Demokratike ftoi sërish shqiptarët që t’u japin përgjigjen e merituar atyre, që ai i quajti bij të korruptuar të etërve komunistë, duke sigurisht përmes pikënisjes së protestave popullore të 8 dhjetorit. “Asnjë regjim nuk ka fituar dot mbi popullin, as ky i sotmi që glorifikon diktaturën, që i ka ditët e numëruara”.
Pas kësaj deklarate të Edi Palokës reagoi drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai sqaron se “Medalja e Mirënjohjes i është dhënë vjet të gjithë veteranëve të kategorisë I, jo emrave të veçantë. Fuga thekson se “kush gëzon këtë status, u dekorua VJET“.
Top Channel