Lindja e kombit dhe dështimi i shtetit

29/11/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Motori i fuqishëm i kërkimit “Google” kishte vënë flamurin tonë në vend të germës së dytë “o”, për t’i kujtuar gjithë botës se sot është dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Një e përditshme online, përkatësisht “Tema”, rikujtonte sot një lajm dhe një foto të hershme dhe sqaronte se mjeti lundrues ku ndodhet Ismail Qemali dhe disa të tjerë krerë të Pavarësisë është një jaht i një të huaji, që e ndihmoi Ismail Qemalin të dilte nga Vlora disa muaj pas shpalljes së Pavarësisë në atë qytet, në vitin 1913. Kjo foto është përdorur gjithmonë me shënjueshmërinë e saj të përkundërt dhe në vend të trishtimit që ajo mbart, përdorimi nga narrativa komuniste, por edhe nga ajo e mëvona nacional-romantike e nxjerr atë si një shenjë triumfi, sepse është ngatërruar me qëllim drejtimi i udhës. Të gjithë kanë kujtuar se ajo foto është udha drejt Vlorës, në fakt ajo është udha e ikjes nga Vlora. Madje, edhe i vetmi film për këtë ngjarje, realizuar në vitet e komunizmit, e lexon këtë foto si një histori triumfi dhe jo si një histori tragjike.
Po sot, në Prishtinë, arrestohet Albin Kurti nga shteti i Kosovës. Albini dhe ata që e mbështesin atë janë shfaqur në publik si rilindësit e fundit dhe e kanë bërë kauzë mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit të Kosovës. Për këtë, edhe pse Europa është në alarm nga terrorizmi, Albinit nuk ia ndin dhe i përdor bombat tymuese luftarake edhe brenda në Parlamentin e Kosovës. Në Shqipëri bie shi dhe koha është ftohur. Këtu retorika nacionaliste nuk ndihet më dhe vendin e saj e ka zënë retorika e luftës mes grupeve politike që akuzojnë njëri-tjetrin vetëm për afera droge dhe parash.
Pavarësia e Shqipërisë ose lindja e saj, ashtu si e çdo kombi tjetër, ishte e përgjakshme. Po të dëgjosh tekstet e himneve të Pavarësisë së disa vendeve do të shohësh se pjesa më e madhe e tyre është e mbushur me simbolikën e luftës dhe të vrasjeve. Lindja e kombeve në Europë sidomos ka shkaktuar edhe tragjedi e luftëra botërore, por këtu është ndarë veç të tjerash, Perëndimi nga Lindja. Për fat të keq, Ballkani, duke qenë për shumë kohë nën administrimin e një Perandorie të Lindjes, edhe sot nuk i ka mjekuar plagët nacionaliste, edhe sot ai rënkon në heshtje nga problemet delikate të kufijve. Ne, shqiptarët, në shumicën e herës, sillemi si mendjelehtë dhe nuk dimë të vlerësojmë ashtu si duhet lindjen e kombit tonë apo të shtetit tonë. Është përsëritur deri në lodhje se në këta pak më shumë se 100 vjet ne kemi humbur shumë kohë dhe lindjen e vështirë e të përgjakshme të kombit tonë nuk e shoqëruam me vullnet që të ndërtojmë shtet. Fataliteti mesa duket ishte shkruar në ditët kur po lindte shteti shqiptar, sepse qeveria e parë që doli nga ai akt i madh qëndroi vetëm tre muaj, pastaj u shpërbë dhe Shqipëria mbeti përsëri një pronë për t’u grabitur. Përsëri janë bërë të lodhshme mendimet për orientimin perëndimor të absolutizmit të Zogut dhe orientimi lindor i diktaturës së përgjakshme komuniste.
Ndërsa në këta njëzetë e ca vjet faktori shqiptar është rritur në Ballkan dhe po shfaqet me një pamje e peshë tjetër në Europë. Mirëpo edhe këtë radhë, ne po shfaqim dobësitë e trashëguara dhe po imitojmë modelet e kapërcyera historike. Nuk duhet të harrojmë se kombet e mëdha i lindin burra të mëdhenj dhe institucione të shenjta. Për fat të keq, burrat e mëdhenj të këtij vendi nuk arritën të ndërtonin institucionet e demokracisë dhe të qeverisjes moderne brenda vendit. Rilindësit shqiptarë, ata që e ngjizën këtë komb me idetë e tyre, ishin të gjithë njerëz të mendimit. Projekti i tyre për Shqipërinë ishte i parealizueshëm. Këtu nuk është vendi që të bëjmë panoramën e përgjithshme të institucioneve të mendimit, por mjaft të kujtojmë që ky vend, ditën që shpalli Pavarësinë, nuk kishte asnjë institucion juridik shtet-formues. Nuk kishte Parlament, gjykata, Universitete, shkolla, Biblioteka, teatro, opera, kishte letërsi, por jo lexues. Përsëri nuk është rasti këtu të përmend përpjekjet e veçuara sidomos të klerit katolik në Veri për dritësim, sepse e kam fjalën për terrin që mbulonte ngado. E vetmja figurë që lëvizte në imagjinatë ishte ajo e trimit dhe e heroit, e luftëtarit dhe e cubit. Forma institucionale e komunikimit ishte Kuvendi i burrave në shesh të hapur dhe ligjërimi gojor.
Mbretëria bëri një eksperiment të drejtë në themel se u orientua nga Perëndimi, por siç e kam thënë dhe herë tjetër, në disa raste, metodat për të sunduar i mori nga Lindja. Eksperimenti komunist ishte më i koklavituri dhe më i rëndi. Ai zgjodhi gjakun dhe dhunën për të ndërtuar lumturinë e një pjese dhe e izoloi vendin në mënyrë të paimagjinueshme. Dhe megjithëse u ndërtuan në këtë periudhë thuajse të gjitha institucionet, ato ishin për fat të keq të infektuara dhe të helmuara. Por diktaturat arrijnë të kryejnë edhe përmbysje të mëdha sepse siç thoshte Platoni vetëm aty zbatohet ligji tërësisht, vetëm aty ligji nuk diskutohet. Ndërkaq, arritjet e këtyre njëzet e ca vjetëve ne nuk kemi guxim t’i përmendim dhe nuk mundemi t’i përmendim sepse i kemi përmbytur ato me duhmën e rëndë të krimeve shtetërore të shkatërrimit të institucioneve e plot plagë të tjera. Ne nuk na bën zemra të gëzohemi në këtë festë, sepse ende nuk jemi një komb serioz që të pjellim edhe burra të mëdhenj.
Ne lindim gjithmonë qeveri që na vjedhin e na sakatojnë. Ndërkaq, energjitë e shqiptarëve dhe talenti i tyre po mbytet nga sharlatanët e Kuvendit të Shqipërisë e Kosovës. Ne nuk kemi kurajë të përlotemi në këtë përvjetor, sepse ata që na përfaqësojnë ne janë gazi i botës si në Shqipëri, si në Kosovë. Heroizmi i Albin Kurtit është një akt që nuk të emocionon, sepse ai ka zgjedhur rrugën e kapërcyer të heroit pa ideal që duke kërkuar të mbrojë sipas tij ndonjë copë të Kosovës, po i nervozon miqtë tanë perëndimorë, bash ata që e çliruan Kosovën që një ditë ta lënë fatin e atij populli në dorë të Albinit e të albinëve me mjekër që e mbështesin në heshtje atë. Ndaj kjo ditë e shenjtë për çdo komb, në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk të nxit të gëzohesh apo të festosh, por të shtyn që të hedhësh sytë larg e të thuash me vete: pse ky fat?!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA