Dy pallate në Selitë të Vogël, në afërsi të kopshtit botanik, rrezikojnë shembjen pas rrëshqitjeve masive të dheut të provokuara jo vetëm nga reshjet, por edhe nga hapja e një grope nga një kompani ndërtimi.
Nga shembja e dheut aksi rrugor është bërë i pakalueshëm për mjetet, ndërsa për shkak të rrezikimit është kryer evakuimi i mbi 34 familjeve që banojnë në këto objekte.
Nga mledhja e shtabit të emergjencës për këtë situatë është urdhëruar gjithashtu ndërprerja e energjisë elektrike duke qenë se shtyllat ndodhen në zonën e prekur nga shembja e dheut.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim administratorin e firmës, Bujar Hasa, ish-prefekt. Firma e tij kishte marrë lejen e ndërtimit tre vjet më parë nga Komuna Farkë, ndërkohë që i kishte ndërprerë punimet për shkak të kërkesës për rinovim të lejes.
Gjatë kësaj kohe, gropa është mbajtur e hapur megjithëse, siç shprehet ndërtuesi i objekteve të rrezikuara, disa herë i është kërkuar kompanisë tjetër që të marrë masa për të parandaluar një situatë të tillë.
“Unë kam kallëzuar fenomenin që po ndodh këtu, sepse firmat ndërrojnë emrin dhe s’merren vesh. Kam ngritur shqetësimin për dëmin që është shkaktuar këtu nga ndërhyrjet e firmës, nga papërgjegjshmëria e saj, sepse nëse do të ishin vlerësuar drenazhimi dhe disiplinimi i ujërave sipërfaqësorë të një pjese midis pronës time dhe murit mbajtës, kjo nuk do të kishte ndodhur”, thotë Altin Dauti.
Albert Musaraj është njëri ndër banorët që ka konstatuar në shtëpinë e tij plasaritje. Ai është largiar prej andej menjëherë. “Kemi ikur se ka lindur frika para trimërisë. Pasi e morëm vesh s’kemi guxim të banojmë këtu”, thotë Musaraj.
Pas matjeve që po kryejnë topografët do të vendoset se si do të ndërhyhet për të ngritur një bordurë mbrojtëse që do të bllokonte rrëshqitjen e mëtejshme të dheut, çka do të shmangte shembjen e pallateve.
Top Channel