Ndryshimet strukturore spitalore në 24 spitale bashkiake të Shqipërisë, nisur nga Ministria e Shëndetësisë, janë kundërshtuar nga anëtarët e opozitës dhe LSI-së në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ku ishte i ftuar edhe ministri Ilir Beqaj.
“Bëmë një vlerësim dhe sot ajo çfarë po zbatojmë në spitalet bashkiakë është një pakësim i numrit të përgjithshëm të personelit me 338 vetë në 24 spitale, nga të cilët 95 vetë janë personel mjekësor por jo mjekë, ndërsa 243 të tjerët janë personel jomjekësor. Në fakt, numri i mjekëve jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është shtuar me 13 vetë”, tha ministri i Shëndetësisë Beqaj.
“Menjëherë pas kongreseve të partisë ju keni filluar spastrimet. Dhe jam e sigurtë që do të zëvendësohen me militantë partie, që po mbushin zyrat e punës dhe ato të deputetëve. Ku është zbatimi i ligjit këtu, sepse ai po shkelet me të dyja këmbët”, tha deputetja demokrate Albana Vokshi.
“Rimodelime mund të ketë në shërbim, sigurisht brenda rregullave që përcakton Kodi i Punës, por që të falësh qindra njerëz nga shërbimi në këto kohë të sotme, kjo për mua është absolutisht e papranueshme”, tha Petrit Vasili, nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
“Unë e konsideroj të gabuar këtë veprim. Qeveria ka zgjedhur sektorin e gabuar për të bërë këto shkurtime. Nuk është shëndetësia ajo që duhet të shkurtojmë, pasi ajo ka nevojë për më tepër personel shëndetësor. Këtë duhet të keni parasysh dhe keni të gjithë mbështetjen e këtij komisioni, besoj se do të na mbështesë edhe opozita, që ne t’i bëjmë presion pozitiv qeverisë për të parashikuar buxhet shtesë personeli dhe jo largime nga puna”, tha Vangjel Tavo.
Ministri Beqaj siguroi deputetët se nuk kemi të bëjmë me shkurtime mjekësh.
“Infermierët që po largohen sot do t’u jepet mundësia të punësohen në qendrat shëndetësore në janar. Me këto ndryshime, mjekët në spitalet bashkiakë shtohen me 13 vetë. Me gjithë vështirësitë që kemi për të punësuar mjekë, e rëndësishme është që nuk pakësohen mjekët. Dua të theksoj se vitin e ardhshëm, shpenzimet publike të shëndetësisë janë 2,89 për qind e PBB-së, niveli më i lartë të paktën në 15 vitet e fundit, që kur ky tregues ndiqet. Ndërkohë, në 2016-a krahasuar me 2013-n ka një shtesë në buxhet me rreth 70 milionë dollarë”, tha ministri Beqaj.
Deputeti Tavo tha se, këto shkurtime do të krijojnë probleme sociale dhe për këtë kërkoi reflektim nga ministri.
Top Channel