Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës për rastin e deputetit Armando Prenga dhe familjes Cali për Lagunën e Patokut.
Përmes një deklarate për shtyp, Basha është shprehur se gjykata favorizon miqtë e kryeministrit, ndërsa burgos njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur.
“Calët nuk janë të zgjedhurit dhe miqtë e Edi Ramës, ndaj burgu është masa e dhënë për ta me vendim gjykate. Ndërsa Armando Prenga është miku, i zgjedhuri i Edi Ramës dhe agresori në konflikt, ndaj u la i lirë me vendim gjykate”, ka deklaruar Basha.
Sipas tij, ky është shteti i Edi Ramës: “viktimat në burg, agresori në shtëpi”.
“Kjo është Shqipëria e këtyre dy viteve ku s’ka barazi dhe ligji dhunon të pamundurit e përkëdhel të fortët dhe hajdutët me pushtet. Por shqiptarët as nuk e duan këtë padrejtësi e rrënim vlerash dhe as nuk kanë për ta lejuar atë”, ka theksuar kreu i PD.
Dhe në këtë drejtim, ai ka ftuar qytetarët që, “më 8 dhjetor të tregojmë se nuk e pranojmë më dhunën dhe padrejtësitë e një bande të korruptuar”.
“Të tregojmë se jemi shumica e ndershme në këtë vend dhe se duam e do të vendosim barazi para ligjit, si dhe drejtësi e shanse për të gjithë”, ka thënë Basha.
Top Channel