Basha, me banorët në Paçram. Ankesa për energjinë, faturimet dhe gjendjen ekonomike

27/11/2015 10:35

Për të vërtetuar akuzat e ngritura nga opozita në drejtim të qeverisë, Lulzim Basha ishte në Paçram të Vaut të Dejës, për të treguar fakte të mjerimit dhe padrejtësive sociale, që sjell keqqeverisja e Edi Ramës.

“Shkova te OSHEE-ja, e më thanë se isha gjobitur sepse e kisha konsumin të paktë. Çfarë është ajo familje që konsumon kaq pak? Nuk kam energji, hajde verifikojeni, por askush nuk na ka dëgjuar”, tha një banor.

“Me 3 mijë lekë përkrahje sociale jam, vet i katërt. Pa punë, pa gjë në botë. 3500 lekë aforfe na vjen muaj për muaj. Kur kam parë letrat në Shkodër, jo kaq. Po s’kam qenë unë në shtëpi, se di kush ka qenë ai që ka shkruajtur emrin aty. Më ka shkuar borxhi 500 mijë lekë. Jam detyruar t’u them të vijnë e të mi heqin dritat, se nuk kam mundësi të aplikoj, as të merrem me atë punë. Më mirë rri pa drita, se nuk mund të lë fëmijën pa ngrënë e pa pirë”, tha një tjetër banor.

“Ne s’kërkojmë mëshirë, kërkojmë vetëm të drejtat tona. Asgjë nuk kërkojmë prej askujt”, u shpreh një tjetër banor.

“Janë dëmtuar njerëzit me nga 1 milionë, 1.5, 2 mln lekë. Kur shkoj të paguaj dritat, atje gjej njerëz që kanë nga 1.5-2 milionë lekë në total për të paguar”, tha tjetri.

Duke u njohur me problemet e banorëve, Basha i ftoi edhe njëherë shqiptarët, që t’i bashkohen protestës së opozitës më 8 dhjetor, për të treguar forcën e popullit ndaj padrejtësive të përditshme të klientëve të qeverisë dhe t’i japin legjitimitet me votë një qeverisjeje të re, e cila që prej ditës së parë do të mendojë për ta.

“Këto lekë, që ju i paguani për energjinë elektrike, faturat aforfe që ju i paguani normalisht OSHEE-së, a e dini ku shkojnë? Të gjitha po shkojnë te carapulët, te papulët, pra po shkojnë tek Edi Rama. Pse rriten taksat? Pse rritet borxhi? Që të kenë mundësi të vjedhin këta dhe jo t’iu përmirësojnë jetën juve. Ne, kamatëvonesat do t’i falim që ditën e parë në pushtet. Ta nisim më 8 dhjetor përballjen në Tiranë, një përballje pa kthim për largimin e kësaj qeverie. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj që kalon është një ditë, një javë, një muaj më shumë hajdutëri e vjedhje e parave tuaja. Nuk ka pse t’ia zgjasim kohën së keqes. T’ia shkurtojmë kohën së keqes, t’iu japim edhe njëherë mundësi juve të zgjidhni me votën tuaj, qeverinë që meritoni”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA