Manlio Grazziano – Rrëzimi i avionit rus nga ana e turqve shënon me shumë gjasë fundin e sezonit shumë të shkurtër të unanimizmit të fasadës që pasoi sulmet e 13 nëntorit. Dhe sinjalizon se çdo fuqi, e madhe dhe e vogël, është e përfshirë në luftë për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me luftën ndaj terrorizmit.
Kopjet, në përgjithësi, janë më pak cilësore se origjinali. Përsëritjet apo sekuelat e filmave apo librave të suksesshëm, shpesh zhgënjejnë. Pas aktit të llahtarshëm terrorist të 13 nëntorit, Franca shpallet sot e angazhuar në “war on terror”-in e saj në Lindjen e Mesme, voton patriot act-in e saj, dhe midis radhëve të udhëheqësve të saj ka nga ata që flasin për një hapje të afërt të një Guantanamoje të saj.
Për një vend që ishte gjendur në krye të togës së kundërshtarëve fshikullues të patriot act-it amerikan, të war on terror të George Bush-it dhe të Guantanamos, ndëshkimi është mizor. Ose të paktën, do të ishte i tillë nëse dikush do të tregonte se donte të mësonte diçka nga historia.
Atentatet e 11 shtatorit nuk kishin të bënin fare me Irakun. Atentatet e 13 nëntorit nuk kanë të bëjnë shumë me Sirinë. Nuk kanë të bëjnë shumë në kuptimin se në Siri dikush prej shefave të ISIS-it mendon se mund ta shfrytëzojë ankthin shkatërrimtar, dëshirën vetëshkatërruese, të një grushti të sëmurësh që të mund ta shpërqendrojnë vëmendjen e përgjithshme nga ajo që ndodh në fushën e betejës. Disa specialistë kanë vënë në dukje se që prej disa kohësh – pak a shumë që nga ardhja e rusëve – ISIS-i e ka bërë të vetin modus operandi-n e Al-Kaedës “për të eksportuar” terrorin, ndoshta sepse është seriozisht në vështirësi në territorin e operacioneve.
Por pikërisht, në anën tjetër të fillit, ekuacioni “terrorizëm në Francë = luftë në Siri”, nuk funksionon. Madje, cilësimi terrorist duket se i shpërblen më shumë se ç’duhet individët që goditën në Francë. Siç tha në “Le Monde” psikopatologu Fethi Benslama, specialist i “rishpikjes” së islamit, “oferta xhihadiste kap të rinj të dëshpëruar, për shkak të zbrazëtive të rënda identitare; u propozon atyre një ideal totalizues që i mbush ato zbrazëti, i lejon një ndreqje të vetvetes apo madje krijimin e një vete të re, domethënë, me fjalë të tjera, një protezë besimi që përjashton çdo lloj dyshimi”. Por, vazhdon studiuesi, “ato subjekte kërkojnë radikalizmin edhe më parë se të gjejnë produktin”. Dhe citon shembullin e atyre të dëshpëruarve që, para se të niseshin për në Siri, kishin blerë në Amazon kopje të “Islam for Dummies” dhe të “Koran for Dummies”.
Nga ana tjetër, që angazhimi i Francës në Siri nuk ka të bëjë fare me sulmet terroriste tregohet nga kërcënimi që rëndoi për tri ditë mbi Brukselin. Belgjika nuk është e angazhuar në Siri dhe terroristët e saj lokalë do të duhej të kërkonin një pretekst tjetër.
Nuk është duke intensifikuar bombardimet mbi Sirinë që Franca mund t’i zgjidhë problemet e terrorizmit në shtëpinë e vet. Për ta bërë këtë janë shumë më të efektshme shërbime të mira sigurie. Për më tepër francezët, në atë lloj veprimtarie janë treguar historikisht shumë të efektshëm. Në vitet gjashtëdhjetë çmontuan pa mëshirë organizatën terroriste OAS, megjithëse shumë prej anëtarëve të saj bënin pjesë në po atë sistem sigurie, ushtarak dhe civil, të ngarkuar për t’i likuiduar. Vrasësit e sotëm nuk kanë motivimet, rrënjosjen dhe sidomos mbështetjet që gëzonte OAS-i; kështu që, vetëm në rast se supozohet një rënie dramatike e cilësisë së strukturave franceze të sigurisë, nuk do të ishte teknikisht e pamundur t’i likuidoje.
Por Franca përfiton sot nga egërsia pa krye e atyre vrasësve për të justifikuar praninë e vet në Sirinë e Madhe, ashtu siç kishin përfituar Shtetet e Bashkuara nga egërsia pa krye e vrasësve të 11 shtatorit për të shkuar në Irak. Shtetet e Bashkuara, megjithëse ishin Shtetet e Bashkuara, megjithëse kishin një strategji dhe megjithëse nuk gjetën fuqi të tjera në rrugën e tyre, në Irak bënë një katastrofë dhe hodhën bazat për përhapjen e terrorizmit në rajon. Franca nuk është Shtetet e Bashkuara, nuk ka një strategji dhe gjen, në Sirinë e Madhe, një terren në të cilin janë hedhur tashmë fuqi të tjera, që nuk e fshehin armiqësinë e tyre të ndërsjellë. E gjitha kjo, në dritën e precedentit të 2003-shit, nuk të lë të parashikosh asgjë të mirë.
Rrëzimi i avionit rus nga ana e turqve shënon me shumë gjasë fundin e sezonit shumë të shkurtër – as dhjetë ditë – të unanimizmit të fasadës të pasuar nga sulmet e 13 nëntorit. Dhe sinjalizon që çdo fuqi, e madhe dhe e vogël, është e përfshirë në luftë për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me luftën kundër terrorizmit. Për të qëndruar te dy protagonistët e incidentit të fundit, shumë të rëndë: Turqia u ka siguruar për muaj të tërë aspirantëve grykëprerës të mbarë botës hyrjen e lirë në Siri nga territori i vet; dhe kur zuri të bënte luftë, e bëri sidomos ndaj kurdëve, domethënë ndaj të vetmëve që ishin në gjendje ta sprapsnin ISIS-in në terren, duke kursyer thelbësisht ISIS-in. Rusia ndërhyri me brutalitetin e saj të njohur, duke goditur sidomos lëvizje të tjera kundërshtare të Asadit, më tepër sesa ISIS-in. Vetë Asadi, nga ana tjetër, duket se e ka “favorizuar” në disa raste ISIS-in në krahasim me grupe të tjera kundërshtare të tijat, sepse përfaqëson armikun ideal, atë që e promovon si kampion të luftës kundër terrorizmit. Dhe për më tepër, duket se e financon madje, nëpërmjet blerjes së naftës së prodhuar në territoret e pushtuara.
Por edhe Irani, në njëfarë mase, ka nevojë për ISIS-in: për të justifikuar praninë e vet ushtarake në Irak dhe për ta shtyrë Uashingtonin drejt marrëveshjeve gjithnjë e më të ngushta me Teheranin. Dhe natyrisht, kanë nevojë për të Arabia Saudite dhe Katari, të angazhuar prej vitesh në një lojë të ngritjes në mbështetjen e lëvizjeve islamike të natyrave të ndryshme, për të luftuar ndikimin iranian, dhe për të luftuar njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë.
Siç shihet, terrorizmi nuk i intereson më askujt, përveçse si gogol për të justifikuar veprimin e vet. Në këto kushte, lufta dhe terrorizmi nuk munden veçse të lulëzojnë më tej.
Gazeta “Shqip”
Top Channel