E mërkura, e cila u paralajmërua si një ditë problematike për shkak të reshjeve të shiut, fatmirësisht kaloi pa probleme. Të paktën 700 punëtorë në Tiranë ishin në terren dhe punuan në zonat më të rrezikuara.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli në lidhje me situatën aktuale dhe rrezikun e përmbytjeve, duke thënë se tashmë e keqja më e madhja ka kaluar edhe në sajë të punës së bërë nga bashkia në 48 orët e fundit.
“Ne kemi sjellë ekipin nga Amsterdami. Disa jetonin në Holandë teksa menaxhonin Bashkinë e Tiranës, ndërsa ne sollëm Holandën në Tiranë për të na ndihmuar”.
Gjithashtu, Veliaj foli edhe për prioritetet e buxhetit të vitit 2016 për Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur se prioritet do të jenë në pjesën më të madhe të njësive si kanalizimet, ndriçimi, infrastruktura, shkollat dhe kopshtet.
***
Pandi Gjata: Si është bilanci në mbyllje të ditës së mërkurë dhe a kaloi rreziku që ju kishit parashikuar për Tiranën?
Erion Veliaj: Më e madhja kaloi, por jemi në nëntor dhe bie shi e në dhjetor borë. Unë besoj se nuk duhet të diktohemi nga një sens paniku sesa nga një sens përgjegjshmërie. Po ashtu siç ndodh në të gjithë botën, qytetet bëjnë plane. Qytetet të tjera kanë drama dhe më të mëdha, ndodhin akte terroriste, tërmete apo aksidente nukleare. Fatmirësisht ne nuk kemi pasur situata të tilla, por duhet të kuptojmë që në një qytet me 1 milion banorë, me një problematikë të akumuluar ndër vite, gjithçka mund të ndodh. Unë besoj se kemi treguar një sens pjekurie. Duhet të kuptojmë që Tirana që ne menaxhojmë sot nuk është ajo e para 100 ditëve, pasi sot Tirana është 1 mijë kilometra katrorë. Këtu ka dy mundësi se si ne qasemi. Një mundësi është që të na zërë paniku, një mundësi është ta përdorim këtë si hiena politike, gjej diçka dhe shfrytëzoje politikisht ose mënyra që ne zgjodhëm, duke bërë në kohë rekord për 48 orë atë punë që ne kemi bërë sot. Siç e pamë sot, për të njëjtën sasi shiu, rrugët që ishin pjesët me nevralgjike të Tiranës, patën një trajtim komplet tjetër. Ne po përpiqemi si bashki për të parë se çfarë pasojash na shkakton sjellja e natyrës si një lloj restoje karshi sjelljes njerëzore. Ngrohja globale ndikon edhe këtu te ne. Në momentin që ne gërryejmë një lumë dhe nuk e parashikojmë që një ditë ai do të kthehet sërish në atë shtrat, atëherë do të kemi pasoja. Këtu ka dy lloj ndërhyrjesh. Së pari, ndërhyrje në infrastrukturën ku nuk është vënë dorë në vitet e fundit dhe në infrastrukturën kulturore dhe logjike që ka secili prej nesh. Nuk mund t’i kërkosh qytetit, pasi ai nuk ka makinë që pret para.
Pandi Gjata: Le t’i rikthehemi edhe një herë pyetjes së parë. A ka kaluar rreziku?
Erion Veliaj: Rreziku ka kaluar. Unë jam i majtë dhe besoj te dora e dukshme e shtetit dhe jo te dora e padukshme e privatit që zgjidh gjithçka, por nuk besoj te shteti “dado”, që i jep sisë kujtdo që qan. Shteti thotë: Unë do të mbaj përgjegjësi edhe nëse ti mban përgjegjësi. Nuk mund të jetë e gjitha përgjegjësi e shtetit. Nëse ndërton te lumi do të marrë lumi. Njerëzit thonë; Jam te Bregu i Lumit dhe më ka ardhur lumi në shtëpi. Por, këtu natyrshëm lind pyetja, çfarë do t’i te lumi. Ajo është një zonë informale. Më vjen mirë që në këto 48 orë më e keqja ka kaluar, por gatishmëria e bashkisë për të pastruar në kohë rekord një punë që kishte 4 vjet kohë për t’u bërë. Ne kemi importuar pajisje nga Italia për t’i zhbllokuar me presion këto kanalizime. Edhe në këtë operacion emergjent ne kemi nxjerrë disa mësime. Tjetri kupton që kur nga një kanal 100 metra nxjerr 50 ton qese, ato nuk na i solli hasmi. Unë them që bashkia duhet të bëjë ashtu si u soll sot, me tre turne, 700 veta për turn, nga një njeri për çdo puset, sidomos në rrugët që kanë qenë problematike. Por në anën tjetër duhet të jemi të vetëdijshëm që qeset plastike nuk na i ka sjellë ndonjë armik, i hedhim vetë ne ato. Më vjen mirë që në 48 orët e fundit kemi pasur një bashkëpunim fantastik nga shumica dërrmuese e qytetarëve, që e ndjejnë plaçkën e shtetit si plaçkën e tyre.
Pandi Gjata: Përveç kësaj keni thënë se përveç ndërhyrjes emergjente duhet edhe një ndërhyrje thelbësore në sistemin e kanalizimeve. Keni thënë pak orë më parë se duhet një investim rreth 150 milionë dollarësh, ndërkohë që buxheti i bashkisë është rreth 10 milionë dollarë në vit. Ku do të gjenden këto para, kur do të nisë operacioni dhe si do të ndërhyhet?
Erion Veliaj: Ne nuk kemi harxhuar as 24 orë. Nëse të tjerët kanë pritur 4 vjet përpara se të fillojnë të ankohen për bashkinë, ndërkohë që e kishin 4 vjet bashkinë dhe mund t’i kishin bërë të gjitha këto punë; nëse i dini kaq mirë le ti kishin bërë. Brenda 24 orëve ne kemi sjellë ekipin nga Amsterdami. Disa jetonin në Holandë, teksa menaxhonin Bashkinë e Tiranës, ndërsa ne sollën Holandën në Tiranë për të na ndihmuar. Ai është një vend nën nivelin e ujit dhe ka pasur probleme me përmbytjet. Ne kemi filluar një operacion me Bankën Botërore. Sigurisht që kjo ka një kosto financiare. Sot Tirana ka një bulevard që e ka pasur para 100 vjetësh, ndërkohë që qyteti është rritur shumë më shumë. E njëjta gjë ndodh edhe me kanalizimet. Qyteti është bërë për 250 mijë banorë, ndërsa sot ka 1 milion banorë me të njëjtat kanalizime. Në arteriet e këtij qyteti nuk qarkullon dot, sidomos kur ndotet dhe kur mbushet me qese. Sigurisht që kemi një plan të emergjencave, pra të rrugëve që duhen zhbllokuar. Ne na duhet të bëjmë edhe një remont kapital të qytetit.
Pandi Gjata: Sa kohë duhet për të realizuar këtë lloj operacioni që po thoni?
Erion Veliaj: Ky nuk është një operacion për batutë, por do të dojë të paktën një dekadë, duke qenë se është hapësira sot është shumë e madhe. Sigurisht që në vitin e parë ne do të fillojmë megjërat më emergjente, por do të na duhet dy apo tre mandate që ta çojë deri në fund këtë projekt. Menaxhimin e ujërave dhe sjellja me natyrën ne duhet ta ndryshojmë tani.
Pandi Gjata: Reshjet e shiut sollën edhe një tjetër problem për qytetarët e Tiranës. Pas problemeve në Bovillë, nuk pati ujë në shumicën e çezmave të qytetarëve. Çfarë skeme keni menduar për të mos u përsëritur më kjo lloj situate që kaluam para pak ditësh?
Erion Veliaj: Ne kemi pasur një anomali totale në menaxhimin e ujësjellësit. Pra, në kohën kur qeveriste PD-ja, ujësjellësi ka qenë i qeverisë qendrore, ndërsa më pas i kaloi qeverisë lokale, ku praktikisht ujësjellësi nuk u prek fare me dorë. Për herë të parë është si të mbledhim copat e shqyera të një shtëpie për t’i bërë bashkë. I tillë ka qenë edhe ujësjellësi, në 24 komuna dhe disa bashki të tjera. Tani të gjitha këto janë bërë bashkë dhe do të thotë që ne nuk kemi trashëguar vetëm asetet, por edhe problemet. Dilema që mu dha nga Bordi i Ujësjellësit ishte: Prej shirave dhe inerteve, kemi një turbullirë të ujit. Mund të çojmë ujë, por duhet të heqim filtrat, pasi ata nuk mund ta kryejnë funksionin e tyre ose ne do të vazhdojmë ta testojmë çdo 20 minuta që ne të kemi ujin cilësorë përpara se ta lëshojmë në rubineta. Unë kam vendosur të jem një njeri i përgjegjshëm. Ndoshta jo për 20 orë, pasi në këtë kohë mund të kemi ngrënë edhe të gjitha mallkimet, por një njeri i përgjegjshëm pranon sjelljen emocionale të publikut për sa kohë ka marrë një vendim të drejtë. Unë besoj se kam marrë një vendim të drejtë.
Pandi Gjata: A ka rrezik që të përsëritet sërish e njëjta situatë?
Erion Veliaj: Sigurisht që nga çdo eksperience edhe ne mësojmë. Imagjino, ne kemi pasur institucione që menaxhoheshin nga njerëz që nuk kanë asnjë pikë lidhje me to. Ne nuk është se kemi trashëguar ndonjë dije. Unë sot nuk jam ekspert, por di pak më shumë për pusetat, për menaxhimin e plehrave, për ujin. Ne kemi trashëguar një administratë me badigardë, të cilët të vetmen famë kishin që vranë njerëz në 21 janar dhe këta ishin administratat. Këtu nuk ka asnjë memorie, asnjë procesverbal, që të na tregojë se si kanë funksionuar këto sisteme. Ky ishte një qytet ku nuk punonte numri i emergjencave. Ne kishim një kryetar bashkie që jetonte në Holandë. Unë i pranoj kusuret, por kam edhe ndershmërinë të them se si i marrim vendimet. Unë jam i sigurt sot, se pavarësisht mllefit për vonesën e ujit. Unë mendova që më mirë le të më mallkojnë njerëzit edhe 20 orë, por ama e di që kur uji të shkojë ai do të jetë i sigurt. Mua kjo mu duk e arsyeshme, pasi kur njerëzit më votuan para 100 ditëve se do të merrja vendime të përgjegjshme dhe besoj se mora një vendim të përgjegjshëm.
Pandi Gjata: Cilat janë prioritetet e buxhetit të vitit 2016 për Bashkinë e Tiranës?
Erion Veliaj: Unë besoj që një bashkie e përgjegjshme nuk i përgjigjet vetëm emergjencave. Sigurisht që ne kemi planifikuar ndërhyrjet në ujësjellës-kanalizime, por le ti vendosim pak gjërat në kontekst. Unë jam një person që i lexoj të gjitha raportet e bashkive dhe në fakt Bashkia e Tiranës është më pak e prekur dhe ajo që e ka menaxhuar më me sukses këtë histori. Ne nuk mund të bëjmë një buxhet instiktiv. Ne duhet të mendojmë edhe për inovacionin që do të sjellim në varreza, pasi po na mbaron toka për varreza. Kështu që ne patjetër që kemi planifikuar varrezat murale. Ne sot në Tiranë kemi 89 shkolla që zhvillojnë mësim në dy turne. Pra, nuk duhet të harrojmë që emergjenca ditore e katër adoleshentëve është që ulen në një bankë. Projekti i shkollave do të jetë ai që do të marrë më shumë financim. Për herë të parë në do të futemi në një projekt të jashtëzakonshëm për të transformuar hapësirën arsimore në Tiranë. Ne e kemi zgjidhur problemin e çerdheve, me 31 çerdhet e adoptuara gjatë verës, por sigurisht që kjo nuk mjafton. Kemi disa rrugë dhe infrastrukturë. Ne kemi zona si Krraba që nuk ka lidhje me autostradën dhe është totalisht e izoluar. Kemi për secilën zonë një paketën, e cila i ngjan shumë paketës që ne shprehëm në fushatë. Ne nuk kemi premtuar tram edhe çudira, por gjëra konkrete për ato njësi. Në pjesën më të madhe të njësive janë kanalizimet, ndriçimi, infrastruktura, shkollat dhe kopshtet. Është një buxhet rreth 100 milionë dollarë, shumë ambicioz. Ky buxhet është më shumë se dyfishi i atij që ka pasur bashkia e tanishme. Ne po rrisim edhe të ardhurat me disa disiplinime që i kemi bërë tatim taksave, parkingjeve dhe gjërave të kësaj natyre. Unë besoj që do të kemi një qytet që do të rimëkëmbet. Unë i them njerëzve që ndoshta ne nuk i bëjmë të gjitha gjërat për 100 ditë, por nuk do të kalojë ditë pa bërë një gjë, një punë konkrete të prekshme dhe të dukshme.
Top Channel