Mark Frroku zgjodhi të heqë dorë nga mandati i deputetit të qarkut Shkodër ditën kur Parlamenti diskutoi në parim projektligjin për dekriminalizimin.
Ai zgjodhi të njëjtën mënyrë për t’u larguar nga politika, si Arben Ndoka, që nëpërmjet një letre la mandatin e deputetit 2 muaj e gjysmë më parë, ditën kur Parlamenti i hoqi imunitetin një deputeti tjetër socialist, Armando Prengës.
Mark Frroku nuk e ka dorëzuar ende zyrtarisht letrën në Kuvendin e Shqipërisë, por Top Channel e ka siguruar atë prej avokatëve të tij. Deputeti kristian-demokrat ndodhet në burg, siç shkruan vetë, që prej 3 prillit të këtij viti, për llogari të drejtësisë belge.
Çështja që është ende në proces gjyqësor në Belgjikë, ku ai akuzohet për vrasje, është arsyeja sipas të cilit Mark Frroku po dorëzon mandatin e deputetit.
Në letër ai thotë se, “motivi dhe qëllimi i kësaj dorëheqjeje lidhet me procesin e Belgjikës”, ku prej 17 vjetësh nuk ka ende një vendim përfundimtar dhe se për këtë ngjarje ai është nën hetim dhe ndodhet në dhomat e paraburgimit të 302-shit në Tiranë.
Mark Frroku e quan këtë një kalvar vuajtjesh politike për veten dhe familjen e tij, që nis me atë që e cilëson si “divorc me ish-partinë shtet”, Partinë Demokratike.
Mark Frroku thotë se kur sponsorizonte demokratët, ai nuk konsiderohej i inkriminuar, ndërsa tani po akuzohet dhe përbaltet me të pavërteta, që, siç thotë ai, do të provohen shumë shpejt si të tilla.
Mark Frroku thotë gjithashtu në letrën e dorëheqjes se, po bëhet kurban për dekriminalizimin dhe se atij kjo i ka rënë për pjesë, meqë nuk ka patur të bëjë me politikën e vjetër 25-vjeçare.
Frroku u kërkon ndjesë anëtarëve të mazhorancës për shqetësimet që i ka sjellë asaj për shkak të akuzave të pavërteta të opozitës dhe se dorëheqjen e paraqet për t’i hapur rrugë veprimtarisë normale të qeverisë dhe Parlamentit. Ndjesa e fundit është për zgjedhësit e vetë, të cilët i siguron se pasardhësi do të jetë në lartësinë e detyrës.
Sipas listës së dorëzuar në KQZ, pasardhës është vëllai i tij Arben Frroku, i dënuar në mungesë me vendim të formës së prerë për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj. Kjo do të thotë se emri i tretë në listën kristian-demokrate të qarkut Shkoder, një grua, mund të jetë deputetja më e re e mazhorancës.
Top Channel