Ambasadorja e Çekisë, Bronislava Tomasova deklaroi në takimin e zhvilluar në Shkodër për reformën në drejtësi se gjyqtarët e korruptuar duhen larguar nga sistemi.
Një nga shumë arsyet se përse të rinjtë largohen nga Shqipëria, tha diplomatja, është edhe sistemi jofunksional në drejtësi: “Unë jam shumë e vetëdijshme se procesi i krijimit të gjyqësorit me vetë drejtësinë si udhëheqës kryesor i këtij procesi, do të marrë kohë, sipas të gjitha gjasave, deri në datën e pranimit të Shqipërisë në BE. Por ekziston nevoja që ky proces të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Tashmë, dje ishte vonë për këtë arritje, pasi vendi është duke humbur shumë para’ dhe shumë mundësi të mira në formën e investimeve të reja për shkak të sistemit jofunksional të drejtësisë. Kjo me siguri është edhe një nga arsyet se pse të rinjtë shqiptarë shprehin mendimin për të jetuar më mirë diku tjetër sesa në vendin e tyre, siç tregojnë edhe sondazhet e fundit. Vetëm me një prokurori dhe gjykata funksionale është i mundur forcimi i kuptimit të drejtësisë, sundimit të ligjit dhe qasjes së bazuar në meritë në sjelljen e përditshme të njerëzve. Pa miratimin e legjislacionit përfundimtar për reformën, nuk është bërë asgjë. Përkundrazi, me miratimin e reformës, udhëtimi i gjatë i zbatimit do të fillojë, gjë që do të kërkojë shumë vendosmëri. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe joprofesionistë do të duhet të largohen nga sistemi”.
Eksperti Gent Ibrahimi, në fjalën e tij sqaroi për kompetencat që do të marrë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në kuadrin e një sistemi të pavarur nga politika.
Top Channel