Tare rinovon me Lacion deri në vitin 2018

25/11/2015 10:10

Në një moment jo shumë të mirë për skuadrën e Lacios, pas 3 humbjeve radhazi dhe 1 barazimi në kampionat, vjen një lajm i mirë: Igli Tare rinovon me klubin bardhekaltër. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare do të vazhdojë të jetë pjesë e bordit drejtues të skuadrës së Lacios. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, sipas së cilës, Tare, i cili tashmë është në rolin e drejtorit teknik të klubit bardhekaltër, rinovoi kontratën e tij deri në qershor të vitit 2018.

Kontrata e mëparshme e Tares kishte skaduar që në muajt e verës së këtij viti dhe vetëm pas disa javësh u firmos edhe zgjatja e saj.

Emri i Tares ka qenë një ndër më të lakuarit sa i përket merkatos së menaxherëve. Përveç Interit në Itali, ku sipas mediave italiane është një nga më të preferuarit e presidentit Thohir, Tare është lakuar edhe në disa klube në Gjermani dhe Angli. Lëvizjet e tij të merkatos në 2 vitet e fundit e kanë evidentuar atë si një nga menaxherët më të spikatur, duke bërë lëvizje shumë të goditura dhe mbi të gjitha duke i dhënë klubit lacial përfitime të mëdha nga transferimet e futbollistëve.
 
Problemi i parë me të cilin Tare do të përballet pas nënshkrimit të kontratës së re do të ketë të bëjë me merkaton e muajit janar. Trajneri Pioli ka kërkuar përforcime, ndërkohë që çështja qëndron te fondi që ka akorduar presidenti Lotito, që është shumë i ulët. Për më tepër, ekziston mundësia që ndonjë prej emrave më të rëndësishëm të Lacios të largohet nga kjo skuadër. Problemi në këtë pikë qëndron se si do të pritet ky fakt nga tifozeria laciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA