Kompania e prodhimit të gomave të Formulës 1, Pirelli ka vendosur të shtojë koloritin e ngjyrave për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç edhe ishte bërë e ditur muajin e shkuar, komania italiane ka bërë gati tipin e ri të gomave “ultra të buta”, të cilat do të mbajnë ngjyrën vjollcë dhe do të përdoren vetëm në cirkuitet me rrugë qytetare, më saktësisht debutimi i tyre do të jetë në Çmimin e Madh të Monaco.
Sezonin e ardhshëm do të jenë 5 tipe gomash për pistë të thatë: të forta (portokalli), të buta (e verdhë), të ndërmjetme (e bardhë), shumë të buta (e kuqe) dhe së fundmi dhe ultra të buta (vjollcë).
Testimi i parë i këtyre gomave do të bëhet këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Abu Dabit, gara e fundit e sezonit 2015 dhe drejtori sportiv i kompanisë Pirelli, Paul Hembery zbulon se ato do të përdoren në vitin 2016 vetëm në cirkuitet qytetase.
Gomat shumë të buta janë përdorur vetëm në Monako, Kanada, Austri, Singapor, Rusi dhe Abu Dabi në këtë sezon, ndërkohë që gomat me shiritin vjollcë do të bëjnë debutimin e tyre vitin e ardhshëm në Monako.
“Janë menduar vetem për cirkuitet qytetase, pasi siç u pa edhe në këtë sezon niveli i veshjes së tyre është shumë i ulët, ç’ka bënte që ato të konsumoheshin shumë shpejt”, deklaroi Paul Hembery. “Makinat janë më pak të rrëshqitshme dhe ndryshimi është në nxitjen që i kemi dhënë nivelit të veshjes së gomave. Ndoshta është e tepërt, por kemi patur shumë pak mundësi për të bërë teste dhe ndryshimet nuk do të jenë shumë të mëdha, ndaj do të përshtatemi me këto kushte, duke qenë se edhe vitin tjetër makinat do të jenë edhe më të shpejta. Sepse makinat përmirësohen çdo vit dhe çfarë ka qenë mirë një vit me parë, mund të mos funksionojë vitin pasardhës”.
Shumë njerëz besojnë se duke shtuar numrin e pit stop-ve garat do të bëhen edhe më spektakolare, por Hembery mendon se shumë gjëra mund të mos jenë të pëlqyeshme nëse më parë nuk testohen mirë.
“Idea është që vitin tjetër të kemi 2 ose 3 pit stop dhe gomat do të jenë të njejjtat që u përdorën kët sezon, duke shtuar vetëm modelin e ri ultra të buta, pra ndryshimi nuk do të jetë edhe aq i madh. Edhe pse ne jemi përpjekur që të ndryshojmë pjesën e brendshme të gomave, në një moment të garës të gjitha skuadrat janë të detyruara që të ndalojnë. Por gjithsesi nuk kemi të njëjtat probleme që ne kemi patur disa sezone më parë, sa i përket konsumit të gomave. Gjithsesi, ne kemi nevojë t’i testojmë gomat për të marrë atë që presim”, deklaroi drejtori sportiv kompanisë Pirelli, Paul Hembery.
Top Channel